Lamtumira e hidhur e “Princit” të Madridit, Griezmann drejt MLS duke lënë pas paradoksin e trofeve
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama sot në Tiranë, u ndal te situata në Lindjen e Mesme, teksa tha se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.
Më tej ai i kërkoi Shqipërisë që të jetë në krahun e Turqisë dhe të dënojë sulmin e Izraelit, ndërsa për kryeministrin izraelit tha se është një “kërcënim” global.
“Me zotin kryeministër shkëmbyem edhe ide për çështje globale dhe rajonale. Ne ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe Liban ishin ndër pikat prioritare të agjendës së takimit tonë.
Unë ndava pikëpamjet tona për agresionet e qeverisë Netanyahu të cilat shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe tani janë bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocidi që po vazhdon prej 1 viti në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Unë sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim“, u shpreh ai.
Ndërkohë në përgjigjen e tij kryeministri Rama tha se vendi jonë mbështet idenë për një armëpushim, por shtoi se në një pikë ndahen me qëndrimet e Turqisë, duke shtuar se Hamasi dhe çdo burim terrorizmi është i patolerueshëm.
“Sigurisht që Ukraina është një temë qendrore e të gjitha diskutimeve që bëhen në këto nivele kudo, por është një temë qendrore e çdo bisede që unë kam pasur me presidentin e Republikës së Turqisë dhe po ashtu sot, përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet, në mënyrë të pamëshirshme dhe tërësisht të padrejtë, një popull që është në të drejtën e vet për të jetuar i lirë dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh përditë në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale.
Ne bashkë-ndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë tërësisht të vendosur, bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit, kundër terrorit, për ne terrori, në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm.
Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe nga ana tjetër, askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre”, tha Rama.
Top Channel