Lamtumira e hidhur e “Princit” të Madridit, Griezmann drejt MLS duke lënë pas paradoksin e trofeve
Anulimi i seancës së Kuvendit ka sjellë një reagim nga grupi parlamentar i PD-së, të cilët shprehen se është në kundërshtim me ligjin.
“Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kyetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.
Anullimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij”, shkruhet në reagim e grupit parlamentar të PD-së.
Pas kësaj ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila i ka kërkuar demokratëve të “të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre”.
“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.
Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional”, thuhet në reagim.
Top Channel