Opozita pengoi mbledhjen e Komisionit të Etikës, ku pritej të diskutoheshin incidentet në sallën e Kuvendit, për të cilat kërkohet përjashtimi i 24 deputetëve.
Deputetët e opozitës, me në krye Flamur Nokën, krijuan tension në Kryesinë e Kuvendit. Noka u kërkoi deputetëve të mos uleshin, Saimir Korreshi ironoi mbledhjen, duke thënën se po bëjnë arrestime si në komunizëm. Pas debateve, kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka njoftoi shtyrjen e mbledhjes.
Saimir Korreshi: Ku do ta bëjmë mbledhjen?? Jemi bërë me Gardë Revolucionare këtu
Flamur Noka: Asnjë të mos ulet
Saimir Korreshi ironizon: Në emër të popullit, je i arrestuar
Flamur Noka i drejtohet kryetares së Komisionit të Etikës, Klotilda Bushka: Ti përfaqëson krimin e organizuar dhe korrupsionin e këtij populli! Ti dhe Edi Rama. Turp! Ju përfaqësoni hajdutët
Klotilda Bushka: Ndërprisni mbledhjen
Flamur Noka: Hajdutët e 5 milionë eurove
Menjëherë më pas, deputetët e opozitës u larguan nga Kryesia e Kuvendit, ndërkohë që deputetët e mazhorancës vijojnë të qëndrojnë në godinë.
Komisioni i Etikës ishte planifikuar të mblidhej sot për të shqyrtuar kërkesën e socialistëve për të përjashtuar nga punimet e kuvendit 24 deputetë të opozitës, që u përfshinë në akte dhune në seancën e fundit të parlamentit.
Top Channel