Dezertori koreano-verior vjedh autobusin për t’u rikthyer, pasi ‘nuk përshtatej dot në Jug’ (fotot)

02/10/2024 18:09

Pas ndalimit nga policia, dezertori tha se nuk po përshtatej dot me jetën në Korenë e Jugut dhe donte të kthehej në atdhe.

Koreano-veriori ishte arrestuar nga policia ne Korenë e Jugut pasi tentoi të kalonte kufirin e fortifikuar drejt Veriut me një autobus që kishte vjedhur.

Burri në të 30-at kishte vjedhur automjetin nga një stacion në Paju, qytet pranë kufirit, dhe bëri tentativën e dëshpëruar për të kaluar Urën e Unifikimit mes dy Koreve, duke u përplasur me barrierat ndarëse.

Ai kishte dezertuar nga Korea e Veriut rreth një dekadë më parë por prej pamundësisë për t’u përshtatur me jetën e re, dëshironte të kthehej në veri.

Ai ishte regjistruar nga kamerat e sigurisë teksa merrte mjetin në garazhin e autobusëve në  Paju me të cilin ishte nisur natën e martës.

Kur arriti në kufi ai nuk i vuri veshin thirrjeve të ushtarëve për të ndaluar dhe hyri në një prej korsive të urës, deri para se të ndalohej nga barrikadat.

Zyrtarët thanë se ai nuk ishte nën influencën e alkoolit apo drogave në kohën e incidentit.

Burri i paidentifikuar publikisht besohet se kishte probleme financiare dhe fatura të akumuluara, ndërsa tha në polici se donte të bashkohej me familjarët në veri.

Ligjet në Korenë e Jugut ndalojnë kalimet në Veri pa autorizimet e duhura dhe shkelësit dënohen me deri në 10 vjet burg. Ndërsa dezertorëve nga Veriu në Korenë e Jugut u jepet menjëherë qytetaria.

Por ka pasur edhe në të kaluarën dezertorë nga Veriu që nuk janë përshtatur dot në Korenë e Jugut dhe kanë tentuar rikthimin ilegal.

Rreth 1,000 dezertorë kalojnë çdo vit nga Veriu drejt Koresë së Jugut por dekadën e fundit vetëm 30 kanë mundur të rikthehen përsëri në Veri, sipas ministrisë koreane të Ribashkimit, shkruan TheIndependent.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA