Mbahet në Paris funerali i studentes franceze të vrarë e përdhunuar nga marokeni para deportimit (fotot)

27/09/2024 18:58

Arkivoli i studentes 19 vjeçare franceze Philippine doli sot nga katedralja e Saint-Louis në periferi të Parisit, një javë pas vrasjes dhe përdhunimit shokues nga një emigrant i jashtëligjshëm që duhet të ishte dëbuar nga Franca.

Rreth 2.800 persona merrnin pjesë në funeralin e të resë, vrasja e të cilës ka tronditur opinionin dhe ashpërsuar thirrjet kundër emigracionit të pakontrolluar që ka sjellë kriminalitet e dhunë në Evropë.

“Jemi këtu për ta qarë e për t’u lutur”, tha pastori Pierre-Hervé Grosjean i kishës së funeralit, i cili gjithashtu kujtonte përfshirjen e të ndjerës si besimtare katolike në zonën ku banonte dhe me ekskursionistët e universiteti ku studionte.

Trupi i vajzës tragjike, e emëruar vetëm si Philippine, u gjet të shtunën e shkuar në parkun Bois de Boulogne në perëndim të kryeqytetit.

Vrasësi i dyshuar është gjurmuar dhe arrestuar dy ditë më parë në Gjenevë, dhe ishte një refugjat që priste deportimin nga Franca.

22 vjeçari maroken ishte liruar nga policia në fillim të këtij muaji në Francë pasi kishte kryer pesë vjet burg për përdhunimin e një studenteje në vitin 2019.

I emëruar nga mediat franceze si ‘Taha O’, ai kishte marrë urdhrin e dëbimit nga Franca, që nuk ishte ekzekutuar për arsye të paditura.

E djathta franceze Fronti Kombëtar (RN) tha se tragjedia ishte një tjetër provë e neglizhencës së sistemit gjyqësor francez.

“Ku emigrant nuk kishte të drejtë të ishte këtu, por ai u lejua të kryente përsëri krim, në pandëshkueshmëri të plotë. Drejtësia jonë është tepër neglizhentë dhe shteti ynë është tepër disfunksional”, tha kryetari i partisë RN, Jordan Bardella.

Edhe politikanë të majtë i bashkoheshin thirrjeve për efektivitet në zbatimin e masave të emigracionit.

“I dyshuari duhet të shkonte nga burgu në avion”, tha kreu socialist Olivier Faure, duke shtuar se vetëm 10% e urdhrave të deportimit po realizohen nga drejtësia, sipas shifrave qeveritare, shkruan rrjeti AFP.

E ndjera Philippine ishte duke shkuar në shtëpinë e prindërve të saj në perëndim të Parisit kur ishte zhdukur papritur, për t’u gjendur më pas e vrarë dhe përdhunuar nga emigranti ilegal.

Ajo përshkruhej si e urtë dhe studente e shkëlqyer nga kolegët e mësuesit.

Parku qendror i Bois de Boulogne, në qendër të Parisit ka qenë shpesh objekt hetimesh prostitucioni dhe banorët kanë raportuar se është kthyer në vend të frikshëm, prej prezencës së të droguarve dhe të dyshuarve të krimit.

FOTO GALERI
3/4
Trupi i vajzës tragjike, e emëruar vetëm si Philippine, u gjet të shtunën e shkuar në parkun Bois de Boulogne në perëndim të kryeqytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA