Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj po dëshmon sot në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi e pyeti Rrjepajn nëse ka qenë në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, i është drejtuar Beqajt me një shkresë ku paraqiste gjendjen aktuale të repartit dhe i ka kërkuar ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit. Përgjigja e ish-zëvendës ministrit ishte mohuese. Vokshi e pyeti më tej Rrjepajn nëse ka qenë në dijeni të kredisë së dytë me një vlerë mbi 15 milionë euro për vënien në funksionim të repartit të sterilizimit dhe përse sugjeroi PPP-në për projektin.
Vokshi: A jeni në dijeni të master planit të hartuar me ndihëm e Bankës Botërore, që përfshin shumë komponentë edhe sterilizimi me 5 komponentë që u dha me koncesion.
Rrjepaj: Jam në dijeni të masterplan të QSUT të përgatitur nga kompania gjermane, kam qenë prezent edhe në një nga inaugurimet që janë bërë të një pjesë të spitalit të ri të urgjencës të financuar nga CEB. T’iu korrigjoj në këtë aspekt, se pjesa e përgatitur nga Top Consult i përkon vetëm investimit në repartin qendror të sterilizimit
Vokshi: Qeveria bëri atë masterplan, kishte edhe komponentë të tjerë, njëri ishte edhe investimi në repartin qendror të sterilizimit në katin pëndhes. Sa ishte vlera e investimit, është marrë kredi e bankës së Këshillit të Europës. Sa ishte pjesa e investimit në kredinë e parë të CEB.
Rrjepaj: Pjesa e investimit në pajisje ka qenë 0.8 mln euro, për pjesën e hapësirës së infrastrukturës ka qenë duk tek 0.6 mln euro.
Vokshi: Pse nuk filloi puna. Jeni në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, si ish-drejtoreshë i është drejtuar Beqajt me një shkresë ku ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, fotot përkatëse, ku në bazë të asaj çka duket unë besoj që ju jeni në dijeni, janë ambiente moderne të pajisura me aparatura sikurse edhe ju e përcaktoni në memon tuaj, me teknologji avangardë. I ka kërkuar Beqajt pasi ka bërë një përshkrim, ka theksuar qëllimin e punës, ka përshkruar të gjitha zonat, kapacitetin e përurimit. Dhe ju thoni në memo që janë mjaftueshëm për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Në memo Manastirliu bën edhe shpjegimin e skemës së gjithë procesit, e mbyll duke përshkuar jo vetëm sterilizimin por edhe të transportit të produkteve që sterilizoheshin, deri në momentin e futjes të kontejnerëve që më tej do asgjësoheshin. Pjesë e memos është edhe përllogaritja e stafit që nevojitej që duhej trajnuar për të vënë në funksionim qendrën e sterilizimit që do përballonte të gjitha nevojat e gjithë Shqipërisë. Ky repart ishte i mjaftueshëm për të përballuar 60 mijë operacione. Jeni në dijeni për ndonjë përgjigje për këtë memo ku shqetësimi është shumë i lartë?! I ka kërkuar ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit nga PIU i ministrisë, njësia për zbatimin e projekteve të huaja për ta vënë në funksionim.
Rrjepaj: Unë kam vetëm masterplanin në lidhje me repartin qendror të sterilizimit.
Vokshi: Në memon tuaj 25.06.2014 që mban dhe shënimin tuaj, ju keni folur për PPP, pa marrë parasysh kërkesën e ish-drejtoreshës të QSUT, Ogerta Manastirliu. Keni shkuar direkt te PPP, që këtu ju thoni do të sjellë efekte të dukshme, duke ulur ndjeshëm kostot e fshehta. Ekzistonte një qendër me teknologji avangard sipas kësaj shkrese, por mungonte trajnimi i personelit. Ne akoma sot paguajmë kredinë e dytë që u mor për këtë qëllim. Ju po thoni që s’keni dijeni?!
Rrjepaj: Mendoj se duhet lexuar memo si është. Unë them për shkak të mungesë së njohurive, reparti nuk është vënë në punë. Përpos faktit që sterilizimi ishte i vjetëruar. Ajo që është zhvilluar më pas, ka sjellë një risi që ka të bëjë me përqëndrimin e këtyre shërbimeve dhe përgjegjësitë e reja që kanë dalë.
Vokshi: Faza e dytë e kredisë mbi 15 milionë euro është miratuar në nëntor 2014, theksohet se objektivi është vënia në funksionim e repartit të sterilizimit.
Rrjepaj: Nuk kam qenë në dijeni!
Vokshi: Ka qenë mungesë informacioni. Nuk keni mbledhur të gjithë informacionin për hartimin e studimit të fizibilitetit?!
Rrjepaj: E kam mbledhur, por nuk mendoj se studimi i fizibilitetit ka lidhje me këtë kredi
Top Channel