Një gjobë prej 1.5 milion eurosh dyshohet të jetë bërë shkak për vendosjen e tritolit më 30 maj të vitit 2020 në hotelin “Victoria” në Tiranë.
Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale në hotelin në pronësi të babait të të akuzuarit Ervin Mata.
Mata është shpallur në kërkim nga SPAK për trafik kokaine si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ky informacion ka dalë nga bisedat e zhvilluara në aplikacionin “Sky”, mes disa anëtarëve të grupit kriminal që kanë vepruar nën komandën e Plaurent Dervishaj, që shkurt thirret me nofkën “Plaku”.
Gjoba financiare i është vendosur një mikut të ngushtë të Ervin Matës, të cilët grupi i Devishajt dhe Ramazan Rajës i kishte konkurrent në linjat e tregtisë dhe trafikimit të drogës.
Ky person ende nuk është zbuluar nga prokurorët e posaçëm SPAK, por grupi i hetimit ka krijuar dyshimin e fortë se tritoli tek hoteli i Ervin Matës është vendosur pikërisht për këtë shkak.
Gjoba financiare nuk është pranuar të paguhet e për pasojë grupi ka marrë masa për vendosjen e lëndës shpërthyese tek muri rrethues i hotel “Victoria”, pronë e Luan Matës.
Për këtë ngjarje të ndodhur në Tiranë, prokuroria e Posaçme ka identifikuar si autorë Plaurent Dervishaj i thirrur “Plaku”, Ramazan Rrajën nipin e ish-deputetit të PS, Rahman Rraja i thirrur shkurtimit me nofkën “Xani” dhe Julian Meçen e thirrur ndryshe me nofkën “Sakati”, të cilët aktualisht janë në proces gjyqësor, jo vetëm për këtë episode kriminal por edhe për ngjarje të tjera.
Ndërkohë anëtarët e tjerë të grupit të identifikuar në aplikacionin “Sky” ishin Bledar Polovina me nofkën “Fshatari”, Amar Shkëmbi me nofkën “Bad”, Bashkim Haxhia me nofkën “Baçi”, Gentjan Ndërjaku me nofkën “Kili” dhe Marsel Deçka me nofkën “Kështjella”.
Ndërkohë një ditë më parë Prokuroria e Posaçme SPAK, lexoi pretencën për anëtarët e këtij grupi që dyshohet se kishin marrë pjesë në vrasjen e Andi Malokut,plagosjen e Arjan Ndojës dhe Aleksandër Lahos alias “Rrumit”. Në total u kërkua rreth 43 vite burg për të gjithë grupin.
Në pretencë u kërkua 11 vite burg për Ramazan Rrajën, por për shkak për gjykimit te shkurtuar dënimi ulet në 7 vite e 4 muaj burg, për Genti Ndërjakun u kërkua dënimi me 9 vite burg, i cili ulet në 6 vite.
Për Bashkim Haxhinë u kërkua dënimi me 8 vite burg i cili ulet 5 vite e 4 muaj burg, Julian Pjetri u kërkua dënimi me 7 vite e 6 muaj burg i cili ulet 5 vite burg.
Ndërsa për Endrit Sinanin, u kërkua dënimi me 7 vite e 6 muaj burg i cili ulet në 5 vite burg.
Top Channel