Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja ka dorëzuar rekurs për vendimin e Apelit që e shpalli fajtor për shehje e deklarim të rremë të pasurisë.
Gjykata e Posaçme e Apelit, vendosi më 13 shkurt të këtij viti të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim, masë e cila u pezullua në këmbim të vendosjes në shërbim prove për 1 vit. Vendimi në Apel u la në fuqi nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Saida Dollani dhe anëtare Nertina Kosova e Miliana Muça.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja e kaloi shkallën e parë të vetingut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, KPA që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait.
Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme. SPAK siguroi atëherë në Gjykatën e Posaçme urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfaqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas.
Dedja u deklarua dhe u dënua në Shkallën e Parë më 26 qershor 2023, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Top Channel