Adem Ademi, banor i Vushtrrisë  është zhdukur që nga maji i vitit 1999.

Në këtë periudhë ai shërbente si mjek në Shalë të Bajgorës në Mitrovicë, duke mjekuar ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që e bëri target të Serbisë.

E motra e tij, Lutfije Ademi Vokshi, kërkon që të punohet më shumë në zbardhjen e fatit të tij dhe rreth 1600 shqiptarëve të tjerë që u zhdukën me dhunë gjatë luftës së fundit.

“Kanë qenë me doktor, civil, të gjithë të shkolluar. Serbia ka ditë që njerëzit që i ka zgjedhë, ata që kanë qenë intelektual. Vëllai ka pas edhe flet arrest, për shkak se ka shëruar ushtarët e UCK-së. Por në maj e kanë zënë dhe prej asaj ditë, tash e 25 vjet presim një lajm, një përgjigje por s’kemi asgjë”, thotë ajo.

Bajram Qerkini, djali i të cilit është në mesin e të zhdukurve, shpreh zhgënjimin e tij me punën e deritanishme të institucioneve të Kosovës.

“Si punohet e sa punohet le të jetë në nderin e tyre, por ne si familjarë nuk jemi të kënaqë me punën që e bëjnë, as me vendorët e as me ndërkombëtarët, nuk flas për Serbisë, se Serbia nuk do me e zbardhë fatin e të personave të pagjetur, për shkak se duhet të përgjigjet, ajo e shtynë procesin”, shprehet Bajrami.

Për gërmimet e planifikuara në Kozhlje të Serbisë, Qerkini nuk është optimist.

“Aspak, optimist nuk jam. Këto janë disa lojëra politike që i luan Serbia dhe nuk duan realitetin”, shton ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë që do të vazhdohet të punohet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës. Ai shton se për këtë duhet të hapen arkivat e shtetit të Serbisë.

“Në vitin 2014, para dhjetë vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi, për 30 vjet. Kjo i bie që nuk do të hapet deri në vitit 2044, a duhet të presim ne edhe 20 vjet që ta hapet arkiva e brigadës 37 të armatës jugosllave? Aty është e vërteta. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë”, thotë Kurti.

Që nga paslufta, në pesë varreza masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruqac, Rudnicë dhe Kizhevak të Serbisë, janë gjetur trupat e 991 shqiptarëve. Ndërkohë, vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 1595 të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA