Mandati i Xhaçkës/ Top Channel zbulon draft raportin e demokratëve: Fati i socialistes të vuloset në seancën e parë të shtatorit

27/08/2024 11:09

Mandati i Olta Xhaçkës rikthen deputetët në tavolinat e tyre te punës. Megjithëse 28 ligjvënës te opozitës kishin kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vendosi që më parë të thërrasë Këshillin e Legjislacionit. Edhe pse vendimi nuk u prit mire nga demokratët ata kanë vendosur të mos braktisin betejën për ti hequr mandatin deputetes socialiste Olta Xhaçka te vënë nën akuze për përfitim te parëve publike përmes bashkëshortit investitor strategjik.

Gazetarja e Top Channel Elda Menga ka arritur te sigurojë raportin e përgatitur nga deputetja demokrate Dhurata Çupi, e cila drejton sot Këshillin e Legjislacionit. Për të shmangur çdo tentative për zvarritje nga ana e mazhorancës socialiste, demokratët do kërkojnë që kryeparlamentarja Spiropali te përfshijë në seancen e 2 shtatorit projektvendimin për dërgim menjëherë në Gjykatën Kushtetuese te mandatit te Xhaçkës, ndërsa i sugjerojnë që ti kujtojë deputetëve që kanë detyrimin vetëm për të votuar “PRO”.

“Mënyra e vetme për zbatimin e këtij vendimi te Gjykatës Kushtetuese është ndjekja e procedurës parlamentare si më poshtë:

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”, thuhet ne raportin e hartuar nga demokratja Dhurata Çupi raporton Top Channel.

Beteja e demokratëvë për mandatin e Olta Xhackës vijon prej dy vitesh mes ecejakeve Parlament-Gjykatë Kushtetuese. Opozita po nxiton ti heqe mandatin Xhackës para se ti mbarojë natyralisht pasi neni 66/a i ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, parashikon se kërkesa për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit mund të paraqitet në Kushtetuese jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të tij.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA