Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pasi Top Channel raportoi ekskluzivisht në mesnatë se një dron fluturues hodhi celularë dhe drogë Brenda burgut të Peqinit.
Drejtoria e Burgjeve thotë se droni që fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, u pikas rreth orës 20:37 dhe për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut.
Konfirmohet se u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së; si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje. Po ashtu, është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rritur më tej sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale brenda tyre. Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor.
Top Channel