Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka mbajtur sot bisedime me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani në Teheran.
Vizita e Al Thani vjen një ditë pasi ndërmjetësuesit egjiptianë, të Katarit dhe SHBA u takuan në Kairo pa arritur të gjejnë një kompromis në negocjatat e zgjatura e të pasuksesshme për t’i dhënë fund konfliktit brutal në Rripin e Gazës.
Al Thani u dha zyrtarëve iranianë të dhënat për përpjekjet diplomatike për armëpushimin në Gaza dhe bëri thirrje për vazhdim të konsultimeve për të promovuar stabilitetin e sigurinë në rajon dhe për të ndihmuar popullin palestinez.
Ekspertët thonë se me vizitën e tij, Sheikh Mohammed duket se kërkon të zhvendosë tryezën e negocjatave në Teheran, ndoshta për të marrë asistencën iraniane në bindjen e Hamas për të pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA, sipas ekspertëve.
Katari përballet me presionin e SHBA për të ndihmuar në marrëveshjen e propozuar nga sekretari Anthony Blinken, pasi SHBA thotë se nuk ka kontakte direkte me Hamas dhe as me Teheranin.
Një javë më parë kryeministri i Katarit dhe ministri i jashtëm iranian mbajtën një bisedë telefonike për uljen e tensioneve në rajon, teksa Teherani pritet të ndihmojë të bindë Hamas të pranojë kushtet.
Top Channel