Farage kërkon mbylljen e azilit/ Lideri i “Reformës” premton deportimin e 90 mijë azilkërkuesve, nëse vjen në pushtet
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e 12 tetorit në Cinisello Balsamo, pranë Milanos në Itali, ku një foshnjë e porsalindur është gjetur e braktisur brenda një qeseje, në kryqëzimin e rrugëve Monte Ortigara dhe Pasubio.
Foshnja, një djalë që kishte ende placentën të lidhur dhe ishte mbështjellë me një copë pëlhure, u zbulua nga një grua që po shëtiste qenin e saj në zonë.
Pas dëgjimit të disa tingujve dhe rënkimeve të lehta, gruaja iu afrua qeses së lënë mes pemëve dhe konstatoi se brenda saj ndodhej një i porsalindur. Ajo njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës.
Mediat italiane shkruajnë se, ngjarja u raportua rreth orës 16:15, ndërsa në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore të urgjencës 118 dhe forcat e policisë italiane.
Foshnja u transportua me urgjencë, në gjendje kritike, drejt spitalit Niguarda në Milano, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Sipas raportimeve të mediave lokale, gjendja e tij shëndetësore është shumë delikate.
Sipas informacioneve të publikuara nga “MilanoToday”, lindja dyshohet të ketë ndodhur rreth dy orë përpara se foshnja të gjendej. Në vendngjarje ndërhynë efektivët e komisariatit të policisë së Cinisello Balsamo, të cilët rrethuan zonën dhe nisën veprimet e para hetimore.
Në hetime janë përfshirë edhe agjentët e Njësisë së Hetimit të Policisë së Milanos, të cilët po punojnë për të rindërtuar rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personin që e ka braktisur të porsalindurin.
Deri më tani, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rastin.
Top Channel