Izraeli deklaroi se ka ndërmarrë një valë sulmesh parandaluese, siç i quan ai, në të gjithë Libanin jugor për të frenuar një ofensivë në shkallë të gjerë të Hezbollahu me dronë e raketa drejt shtetit hebre.
Avionët tanë shkatërruan mijëra raketahedhëse të grupit të armatosur të mbështetur nga Irani, tha ushtria izraelite. Hezbollahu vetë pohoi vrasjen e tre luftëtarëve të tij, por shtoi se edhe në këto kushte kishte arritur të lëshonte drejt Izraelit 320 raketa dhe drone në Izrael, teksa kërkon shpagim për vrasjen e një komandanti të lartë të tij.
Kjo situatë që e bën më të prekshëm skenarin e një zgjerimi të konfliktit në rajon, i ka nxitur Shtetet e Bashkuara të punojnë edhe më fort për shmangien e cdo përshkallëzimi të mëtejshëm pas 10 muajsh konflikti. Ka pasur pothuajse çdo ditë shkëmbime zjarri përgjatë kufirit Izrael-Liban që prej shpërthimit të luftës mes shtetit hebre dhe Hamasit në Gaza më 7 tetor.
Edhe pse nuk pati asnjë përparim në raundin e fundit të bisedimeve të paqes në Kajro të dielën, u bë e ditur se negociatat do të vazhdojnë në nivele më të ulëta në ditët në vijim me shpresën të zgjidhen dallimet e mbetura mes palëve. Një zyrtart amerikan që foli në kushte anonimati pohoi se ekipet e punës do të qëndrojnë në kryeqytetin egjiptian për t’u takuar me ndërmjetësit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti dhe theksoi se të gjitha palët po punonin për të “arritur një marrëveshje përfundimtare dhe të zbatueshme”.
Në bisedime morën pjesë drejtori i CIA-s, William Burns dhe kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite, Mossad, David Barnea. Një delegacion i Hamasit u informua nga ndërmjetësit e Egjiptit dhe Katarit por nuk mori pjesë drejtpërdrejt në negociata.
Top Channel