Në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të vitit 2025 procesi i votimit brenda dhe jashtë vendit do të ketë ndryshime.
Sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet, votuesit kësaj radhe mund të votojnë një numër më të lartë të kandidatëve për deputetë nga një parti e caktuar.
“Duke filluar nga zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë të një subjekti politik, në zgjedhjet e kaluara ka qenë më së shumti pesë kandidatë”, tha zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi.
Kjo sipas monitoruesve të procesit zgjedhor në Kosovë, shihet si një mundësi e manipulimit të votave.
“Në njërën e rritë mundësinë e manipulimeve nga ana e komisionerëve të cilët mund t’i mbushin votat e mbetura të kandidatëve dhe nuk ka, apo është vështirë e evidentueshme një gjë e tillë, por në anën tjetër, rritja e votimit preferencial do të sjellë vonesa sa i përket numërimit”, tha Eugen Cakolli, menaxher projektesh, Instituti i Kosovës për Demokraci
Për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që nga këto zgjedhje, lehtësohet procesi i votimit. Kjo pasi ligji i ri shton edhe dy alternativa tjera të votimit nga diaspora.
Përveç dërgimit të fletëvotimeve me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mërgimtarët që në zgjedhjet e nëntë shkurtit do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura në përfaqësitë diplomatike.
Megjithatë, për të zgjedhur njërën nga këto mënyra të votimit, mërgimtarët do të duhet të regjistrohen si votues në platformën online të KQZ-së.
Përpos tjerash, zgjedhjet e ardhshme do të shohin ndryshim edhe në procesit e numërimit të votave.
“KQZ do të numërojë pjesën e fletëvotimeve ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike në vendvotim, kjo ia mundëson KQZ-së që të shfaqë shpejt rezultatet jo përfundimtare për subjektet politike ndërkaq, një ditë më pas në qendrat komunale të numërimit që do të jenë kryesisht palestra sportive do të numërohet pjesa tjetër e fletëvotimeve, ku qytetarët kanë përzgjedhur kandidatët për deputet”, tha Elezi.
Ndryshime të tjera në këto zgjedhje janë edhe largimi i heshtjes zgjedhore 24 orëshe para hapjes së qendrave të votimit dhe kontrolli më efektiv i aktivitetit zgjedhor nga ana e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Top Channel