Gjatë takimit me të rinjtë, që do të bëhen pjesë e internshipit në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri me dije dy vendime të rëndësishme, duke i konsideruar ato si një mundësi për të përmirësuar skuadrën që drejton qytetin.
Vendimi i parë ka të bëjë me filtrimin e procedurave dhe mënyrës së funksionimit të organizatës, ndërkohë që vendimi i dytë lidhet me verifikimin e të gjitha procedurave, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me standardet e BE.
“Ne kemi marrë disa vendime: Një vendim që morëm këtë javë është lidhja në partneritet me kompaninë më të njohur të mirëqeverisjes në Britaninë e Madhe, në mënyrë që e gjithë Bashkia e Tiranës të kalojë në filtër të gjitha procedurat, mënyrën se si funksionon, si merren vendimet, si kontrollohen ato, mënyra e zbatimit të projekteve, por edhe inspektimin e zbatimit të tyre, për transparencë maksimale.
Kompania britanike ka filluar punë që në datën 1 gusht dhe do të prodhojë ndryshime në procedura. Vendimi i dytë është lidhja e një marrëveshjeje me kompaninë më të madhe gjermane të auditimit dhe licencimit të certifikatave ISO. Certifikata ISO 9000-9002 është ajo që verifikon të gjitha procedurat, që ato të jenë të standardit të BE dhe kush institucion e kalon këtë test dhe pajiset me certifikatën ISO, sigurisht që reflekton më shumë besim e siguri, por jep akses ose gjen mundësi të reja, sidomos kur bëhet fjalë për fonde të BE apo për procedura të Evropës së Bashkuar”, nënvizoi Veliaj.
Sipas tij, organizata bëhet më e mirë kur reflekton dhe hedh hapa për t’u përmirësuar.
Top Channel