Analiza e VOA: Joe Biden mes përkrahjes dhe thirrjeve për t’u tërhequr nga gara presidenciale

10/07/2024 16:30

Ligjvënësit amerikanë u rikthyen këtë javë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë që nga paraqitja zhgënjyese e Presidentit Joe Biden në debatin presidencial ndaj Donald Trumpit, i cili pritet të marrë këtë muaj emërimin si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane.

Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton rreth thirrjeve nga ligjvënës në Kongres për tërheqje të zotit Biden nga gara presidenciale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara po përballet me pikëpyetje në radhët e partisë së tij, në një javë që ligjvënësit kthehen në Uashington dhe në mesin e shqetësimeve se paraqitja e dobët e zotit Biden në debat mund të shuajë mundësitë që ai të mposhtë Donald Trumpin në zgjedhjet e nëntorit.

“Duhet të tërhiqet sepse nuk fiton dot”, tha ligjvënësi demokrat Mike Quigley duke iu referuar zotit Biden.

Ligjvënësi Mike Quigley është pjesë e një numri të vogël të zgjedhurish demokratë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësueve që kanë shprehur publikisht shqetësimet se zoti Biden nuk ka mundur të bindë se gëzon shëndet të mirë për të shërbyer edhe për 4 vjet të tjera si president. Por shumica e përfaqësuesve demokratë janë zotuar se do të vazhdojnë të përkrahin Presidentin.

“Presidenti Biden është i emëruari dhe ne mbështesim të emëruarin e partisë Demokrate që do të mposhtë Donald Trumpin. Ky është fakt”, u shpreh ligjvënësi demokrat Pete Aguilar.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se paraqitja e dobët e zotit Biden në përballjen e 27 qershorit ishte një dobësi e momentit.

“Ai pati një natë të keqe. Kemi diskutuar për këtë dhe ai i kupton shqetësimet e njerëzve. Ne kemi qenë në terren, siç kemi bërë tërë këto muaj, ju e shihni angazhimin e tij, çdo ditë në terren”, tha Karine Jean-Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Por analisti Casey Burgat thotë se zoti Biden nuk duhet të bindë vetëm ligjvënësit, por edhe votuesit.

“Ai duhet të dëgjojë shqetësimet e tyre. Duhet të tregohet i ndershëm se cilat janë përgjegjësitë e tij dhe çfarë ka në plan të bëjë në këtë drejtim. Por ai ka gjithashtu një problem me strategjinë e komunikimit publik, për të bindur votuesit. Sigurisht që ka rëndësi që shumë demokratë dhe ligjvënës demokratë janë të zemëruar me kandidatin e tyre, por ka shumë më tepër rëndësi nëse votuesit nuk e konsiderojnë atë si një kandidat që ka vërtet shanse të fitojë”, shprehet Casey Burgat nga Universiteti “George Washington”.

Përfaqësuesit më te lartë të Republikanëve në Dhomës e Përfaqësuesve thanë të martën se zyrtarët e administratës duhet të marrin në konsideratë përdorimin e një amendamenti kushtetues që i lejon zëvendëspresidentit të largojë nga detyra një president që nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën.

“Nuk ka më asnjë dyshim se Joe Bideni nuk mund të jetë komandanti i përgjithshëm i forcave tona të armatosura. Shtëpia e Bardhë, demokratët e së majtës së skajshme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mediat kryesore janë në kaos të plotë sepse e dinë se kjo është e vërtetë”, u shpreh Elise Stefanik, ligjvënëse republikane.

Por në një kohë që mbështetja e drejtuesit të shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer për Joe Bidenin vazhdon të jetë e palëkundur, ende nuk ka gjasa që të ndodhë skenari i zëvendësimit të Presidentit me Nënpresidenten Kamala Harris, si kandidate zyrtare e demokratëve në zgjedhje.

Demokratët do të emërojnë zyrtarisht kandidatin e tyre gjatë Kuvendit që pritet të mbahet në mes të gushtit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA