10 vatra zjarri çdo ditë në vend, pjesa më e madhe nga dora e njeriut/ Drejtori i përgjithshëm i zjarrfikësve: Në Shkodër ishte rasti më alarmant

07/07/2024 12:20

Në vendin tonë çdo ditë regjistrohen 10 vatra zjarri dhe pjesa më e madhe e tyre shënohen në pyje dhe hapësira të tjera të gjelbëruara të cilat në këto temperature përvëluese marrin lehtësisht përmasa.

Për parandalimin e zjarreve me përmasa përveç plotësimin me logjistikë dhe infrastrukturë shërbimin zjarrfikës hapjen e rrugëve provizore po punohet me ngritjen e grupeve vullnetare.

Arben Cara, drejtor i përgjithshëm i zjarrfikësve thotë: “Rreth 150 vatra zjarri ka pasur 6 muajt e parë të këtij viti. Rreth 45- 50 vatra kanë qenë më serioze ku shërbimi zjarrfikësit janë angazhuar me gjithë kapacitetin. Kritike situate ka qenë në Himarë, Fier dhe Divjakë. Zjarri në Shkodër ka qenë më i madhi i regjistruar vitet e fundit ku u pa se infrastruktura ishte pengesa kryesore që vuri në vështirësi shërbimi zjarrfikës”.

Pjesa dërmuese e zjarreve vijnë nga dora e njeriut që pavarësisht se është një vepër penale që dënohet nga 5-15 vite burg sërish vijon të jetë një fenomen. Në raste të dëmeve më të vogla janë aplikuar dhe masa administrative nga 5-200 mije lekë të reja.

“Vatra e zjarrit në asnjë rast nuk është e paqëllimtë.  Në një përqindje shumë të vogël mund të jetë aksidentale. Në pyje zjarret janë më  problematike për shkak të infrastrukturës që në disa vende nuk ekziston. Ju bëj thirrje gjithë qytetarëve që zjarrin të mos e shikojnë si alternativë për djegien e kullotave  apo mbetjeve bujqësore. Ekziston një vendim i këshillit të ministrave që ka normalizuar djegien e kullotave në mënyrë të rregullt që shërbimi zjarrfikës duhet të jetë pranë tyre”, shprehet Cara.

Sipas këtij vendimi djegia e mbetjeve bujqësore bëhet  vetëm me kërkesë në qeverisjen vendore dhe shërbimin zjarrfikës mes periudhës 30 nëntor-1 prill në një zonë të kufizuar që duhet të jetë jo më e madhe se 5% e parcelës.

 

Top Channel