Në javën e parë të qershorit, Fredi Beleri, u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.
Por ndonëse kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i dënuar me dy vjet burg për blerje votash, i ka kundërshtuar pa reshtur akuzat e ngritura kundër tij, Gjykata e Posacme e Apelit vendosi sërish ta lërë në qeli. Mechtild Roos, lektore në Universitetin e Augsburgut në Gjermani, eksperte e Studimeve Europiane dhe veçanërisht Parlamentit Europian, i tha DW se Beleri do ta ketë thuajse të pamundur ushtrimin e detyrës si euro-parlamentar.
“Beleri nuk mund ta ushtrojë siç duhet mandatin e tij, për aq kohë sa është në burg. Ai nuk mund të mbajë fjalime ose të votojë në seancat plenare, në takimet me partinë që përfaqëson apo komisionet. Gjithashtu do ta ketë të vështirë të votohet për ndonjë rol domethënës siç është zëvendëskryetari, raportuesi etj, dhe as nuk mund të marrë ndonjë vend në komitet, çka mund t’i interesojë më së shumti, thjesht sepse nuk është i pranishëm në momentin kur këto rolet shpërndahen brenda anëtarëve të grupit të tij” – thotë Dr.Roos për Deutsche Welle.
Sipas saj, partia që e futi Belerin në listën e kandidatëve, “Demokracia e Re”, është anëtare e Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, grupimit më të madh politik në PE, mes të cilëve ka shumë pretendentë për role dhe poste të rëndësishme.
“Një eurodeputet në mungesë dhe i dënuar nuk ka thuajse asnjë shans që t’i jepet ndonjë rol apo post domethënës deri në lirimin e tij. Prandaj, në rastin më të mirë ai do të informohet në mënyrë joformale për zhvillimet brenda Parlamentit Europian dhe vetëm pasi të ketë përfunduar dënimin do të mund të ushtrojë siç duhet mandatin e tij – në pikën kur Parlamenti do të jetë në agjendën normale të funksionimit…” – argumenton ekspertja.
Vendimi i formës së prerë dhënë nga Gjykata e Posaçme shqiptare e Apelit “vulosi” qëndrimin në qeli të Belerit deri në tetor, çka nënkupton se ai nuk do të mund të marrë pjesë në seancën e parë plenare që mbahet në Strazburg në korrik.
Top Channel