Katër ditë më parë emisioni Fiks Fare solli rastin e një fëmije 13 vjeç i cili me vendim gjykate duhet të qëndronte me nënën, por pengohej nga gjyshja dhe babai.
I mituri sipas dëshmisë së nënës dhe videove që ajo vuri në dispozicion të emisionit investigative ishte kthyer në problem për fëmijët 5 vjeçar të lagjes të cilët i zhvishte në pjesët intime, dhunonte dhe filmonte.
Menjëherë pas trasmetimit të këtij rasti ka reaguar Policia e Shtetit, ku me një njoftim zyrtar sqaron se 13 vjeçari është pyetur në prezencë të psikologes dhe ka treguar se ato video i ka xhiruar një bashkëmoshatar i tij, dhe i është sekuestruar telefoni si provë materiale.
Ndërkohë ka nisur procedimi penal për babanë e të miturit i cili në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Shkodër ka mbajtur djalin e tij 13 vjeçar duke mos e lënë të shkojë te nëna.
Pas publikimit të rastit ka reaguar edhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri ku kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve për të bërë vlerësim psiko-social të thelluar të të gjithë fëmijëve, veçanërisht të djalit 13 vjeçar. “Nëse materiali filmik i fëmijëve që zhvishen dhe dhunohen vërtetohet që është i vërtetë, do të thotë që kemi të bëjmë me krime seksuale ndaj fëmijëve, ndërsa vetë djali mund të jetë viktimë e hershme e dhunës seksuale” thuhet në njoftimin e CRCA-S
13 vjeçari është dërguar tek e ëma vetëm një ditë pas publikimit të rastit nga emisioni Fiks Fare, i shoqëruar nga Përmbaruesi dhe punonjëset e Shërbimit Social të Bashkisë Malësi e Madhe.
Rina Frroku falenderoi emisionin Fiks Fare për ndihmën dhe që më në fund u bashku me djalin e saj.
Top Channel