Protesta e studentëve, reagon zv.kryeministrja: Sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike

13/10/2026 16:50

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me protestën, duke dënuar aktet e dhunës, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe dëmtimin e pronës publike.

Koçiu e cilëson të trishtë degradimin e kulturës së protestës në dhunë, duke ironizuar edhe pretendimin për provokimin nga pllakat e trotuareve.

“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të “provokuar” rëndë nga pllakat e trotuareve.

Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje.

Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan Koçiu.

Top Channel