Borussia Dortmund nuk ka humbur kohë për të gjetur zëvendësuesin e Mats Hummels, për të cilin nuk pati rinovim.
Edhe pse zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me verdhezinjtë gjermanë.
35-vjeçari, emri i të cilit u lidh me Milanin dhe Romën, pritet të vijojë karrierën në La Liga me Mallorcan, ekip ku luan edhe dardani Vedat Muriqi.
Ndërkohë, nënkampionët e Europës kanë zgjedhur Waldemar Anton si pasuesin e ish-mbrojtësit të njohur të kombëtares gjermane.
27-vjeçari Anton ka pranuar ofertën e Dortmundit, që për të siguruar kartonin e tij do të paguajë rreth 23 mln euro në arkat e Stuttgartit.
Anton ishte pjesë e Stuttgartit në katër sezonet e fundit, madje mban shiritin e kapitenit tek ekipi me të cilin edicionin e fundit siguroi kualifikimin në Champions League.
Kompeticion që lojtari gjerman i lindur në Uzbekistan, i cili debutoi me kombëtaren e drejtuar nga Nagelsmann në mars, do e luajë me fanellën e Dortmundit.
Ndërkohë, mbrojtësi potent është pjesë e listës së Gjermanisë në Euro 2024. Pas përfundimit të turneut prestigjioz do të vijë firma dhe prezantimi në “Signal Iduna Park”./ Super Sport
Top Channel