25-vjetori i çlirimit/ Begaj në Kuvendin e Kosovës: Serbia me aleatët, fushatë për të njollosur luftën e shqiptarëve! Të jemi të bashkuar më shumë se kurrë

12/06/2024 11:22

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është sot i pranishëm në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit.

“Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, simbolin e rezistencës paqësore, elitës intelektuale, që me filozofinë e tij të paqes vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore. Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare, i palodhur në betejën e tij për mbi pesë dekada, sfiduesin lapidar të 28 viteve në burgjet e ish-Jugosllavisë. Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadanë të lirisë së saj. Nderojmë kryetrimin Adem Jashari, legjendë e gjallë e atdhedashurisë. Burra të tillë rrallë i lind historia. Sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që i falën Kosovës së lirë e të pavarur jetën dhe ata që amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj: Liria nuk është dhuratë. Ajo duhet të mbrohet”.

Kosova nuk ishte vetëm, tha më tej Begaj, duke kujtuar shqiptarët nga Shqipëria dhe e gjithë Shqipëria dhe Diaspora, iu bashkuan luftës, ndërsa ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare “ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë shpirtit të një populli qëndrestar që kërkonte një të drejtë të mohuar; lirinë”.

Sipas Presidentit, Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitete diplomatike e mediatike, në një fushatë keqdashëse për të njollosur luftën e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ndaj bën thirrje për bashkim.

“Ne kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për njëmanifest krenarie kombëtare, që nuk ka pse të na kompleksojë. Nuk mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë. Nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt, në një kohë kur bota demokratike, miqtë tanë, po bëjnë çmos të eliminojnë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën shqiptaro-serbe sipas modeleve evropiane. Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës,që e duam dhe e çmojmë fort lirinë. Si të tillë, sot kemi përgjegjësi të madhe për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin në një hapësirë që frymon vlerat demokratike evropiane”.

Edhe, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi se 25 vjet në historinë e një shteti nuk janë pak, por “një çerekshekulli të republikës një populli për të cilën shteti ka qenë një planet i largët janë domethënëse çlirimtare të Kosovës vepër e popullit të Kosovës i cili besoj në mbështetjen të gjatë e të pamposhtur luftëtarët e tij të ideve dhe të Paqes simbol i të cilëve u bë presidenti Rugova”.

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA