Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat gjatë fjalës së tij në marrëveshjen e partneritetit të nënshkruar mes Universitetit Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës.
Rama: Nuk ka dashuri me shikim të parë Austria të shohin të masin, nga larg, afër marrin informacion, shohin krushqit, shohin shtëpinë ku do sjellin nuses, fakti që do martohen me ne është një arritje shumë e madhe, ju takon ju të përfshiheni në këtë projekt dhe ta keni ambicien tuaj profesionale jo vetëm personale, që këtë universitet ku kaloni pjesën më të madhe të jetës suaj ta transformoni, është misioni juaj, nuk ka dyshim që me mbështetjen e partnerëve austriakë, kushtet për t’u rritur, përmirësuar.
Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe University of Natural Resources and Life Sciences, BOKU, Vjenë, Austri.
Qëllimi kryesor i saj është reformimi i thellë i UBT-së, në mënyrë që ai të përafrohet brenda vitit 2030 me BOKU dhe universitetet homologe europiane në të tre kolonat e misionit të tij: programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive.
Marrëveshja e sotme vjen si rezultat i nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje në muajin prill të këtij viti në Austri, mes Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe ministrive homologe austriake për “Zbatimin e Strategjisë UBT 2030”, – e cila autorizon dy universitetet përkatëse që të dakordësojnë një marrëveshje specifike bashkëpunimi për implementimin e këtij projekti për katër vitet e ardhshme.
Universiteti Bujqësor i Tiranës do të shndërrohet në një Qendër Ekselence Rajonale, me synimin final që në fund të këtij bashkëpunimi katër vjeçar të ketë diploma dyfishe dhe programe të përbashkëta të njehsuara me BOKU në Vjenë.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Koordinatori i Projektit Z. Hubert Hasenauer, rektorët e UBT dhe BOKU përkatësisht z. Fatbardh Sallaku dhe znj Eva Schulev-Steindl, si dhe pedagogë, studentë, specialistë të arsimit, etj.
Top Channel