Urdhri i Perandorisë Britanike/ I jepet shqiptarit të parë për kontributin e dhënë për marrëdhëniet shqiptaro-britanike

25/05/2024 14:03

Dr. Andi Hoxhaj, pas marrjes nga Mbreti Charls i Tretë i Urdhërit të Perandorisë Britanike, “Order of the British Empire”, bëhet i pari shqiptar jo vetëm i Britanisë, që merr një dekoratë kaq të lartë nga Monarkia angleze.

Dr. Hoxhaj, me origjinë nga Vlora, është një akademik i spikatur në fushën e Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Lektor në Kolegjin Universitar të Londrës për Drejtësinë, dhe më herët, në Universitetin e Warwick në Anglinë qendrore.

Medalja mbretërore e propozuar nga Lordi Cameron, Ministri i Jashtëm i Britanisë, i cili vizitoi këtë javë Shqipërinë, i jepet për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike dhe marrëveshjen e vitit 2022 mes kryeministrave Rama dhe Sunak. Puna e tij në çështjet e luftës kundër korrupsionit,  mirëqeverisjen, politikën e zgjerimit Evropian dhe migrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë referuar në tre raporte hetimore parlamentare në Londër, të botuara nga Parlamenti britanik.

Dr. Andi Hoxhaj, ka referuar për çështjet shqiptare në disa komisione parlamentare britanike dhe është intervistuar shpesh disa nga BBC dhe mediat britanike. Dr Hoxhaj është aktualisht i përfshirë në promovimin dhe çuarjen përpara të ndihmës britanike për institucionet e drejtësisë shqiptare, të inicuara nga Lordi Cameron gjate vizitës së fundit në Tiranë, projekt që do lancohet javën e ardhshme në Shqipëri. Medaljen atij ia dha në emër të Mbretit, të sëmurë, i biri i tij Princi Uilliam, në një ceremoni të zhvilluar në Kështjellën Mbretërore Windsor.

Dr. Hoxhaj e cilëson atë si nderimin më të madh të jetës së tij, dhënë nga Mbreti Charls. Dr Andi Hoxhaj, është ndër më të shquarit shqiptarë të Britanisë dhe padyshim, simbol i krenarisë kombëtare, sidomos për shqiptarët e Britanisë së Madhe të anatemuar shpesh padrejtësisht, vitet e fundit, nga qarqe dhe media ksenofobe britanike.

Top Channel