Dronët “Bajraktar” për trafikun/ Balluku prezanton masat për “turizëm të sigurt dhe rrugë të sigurta”

24/05/2024 15:14

Fluksi i shtuar turistik dhe hapja e disa rrugëve të reja, fillimisht autostrada e kategorisë A Thumanë – Kashar dhe tuneli i Llogorasë kërkon edhe shtimin e sigurisë rrugore.

Në konferencën “turizëm i sigurt, rrugë të sigurta”, zv.kryeministrja dhe njëherazi ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku kërkoi koordinim ndërinstitucional, ndërsa prezantoi edhe masa të reja të ndërmarra në drejtim të shmangies së trafikut, që do të përfshijnë edhe dronët “Bajraktar”.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se shumë shpejt do prezantohen masat, me qëllim lehtësimin e kalimit në pikat kufitare me Kosovën.

“Do të përdorim dronët edhe për monitorimin e trafikut në pikat e nxehta, për të pasur një informacion të detajuar gjatë 24 orëve të ditës, për të gjitha dhe për të njoftuar publikun në rastet e nevojës për të shmangur pika të caktuara të nxehta me një trafik të shtuar. Tanimë i kemi gati dhe kanë filluar nga puna 6 stacionet shtesë të Policisë së Shtetit në zonat me fluks të shtuar turistik, Thesh, Valbonë, Tale, Gjirin e Lalzit, Palasë dhe në Ksamil. Dua të informoj publikun se e kemi adresuar edhe një prej shqetësimeve që lind shpesh, që ka të bëjë me radhët e gjata në pikat e kalimit kufitar. Ka filluar zbatimi i protokollit dypalësh për lehtësimin e procedurave të hyrje-daljeve në pikën e përbashkët të kalimit kufitar, Morin, Kukës, e po ashtu, besoj deri javën tjetër, bashkë me Ministrin Sveçla, do të njoftojmë edhe lehtësimin e kalimit edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar me Kosovën, për të mundësuar, le të themi, kalim të lirshëm të kufirit për të gjithë turistët, qofshin qytetarë të Kosovës apo të Shqipërisë që duan të shkojnë në Kosovë”.

Një tjetër risi e këtij sezoni veror do të jetë edhe bashkërendimi i punës, mes policisë së shtetit, shërbimit zjarrfikës dhe urgjencës.

Top Channel