Milaim Zeka i ftuar në “Breaking” në Top News ka bërë një analizë të ngjarjeve politike në Kosovë, ku nuk kurseu kritikat ndaj politikave të Albin Kurtit dhe qeverisë së tij.
Mes të tjerash, Zeka rrëfeu një histori të treguar nga një ushtar serb sesi trupat e shqiptarëve ishin bluar me makinat e asfaltit.
“Përmes një lidhjes time në Suedi para dy viteve bëra një intervistë ekskluzive me një ushtar serb në Kosovë, i cili më tha që trupat e shqiptarëve i kemi marrë dhe i kemi bluar në ato makinat e asfaltit, i kemi shtruar asfalt. Duke e transmetuar televizioni i Kosovës këtë intervistë, vajza ime që ishte 12 vjeç, më tha: Babi, a mund të mendosh që edhe gjyshin e kanë bluar në këtë formë? Ne kemi histori të jashtëzakonshme trishtuese në këtë vend, por që politika jonë në Kosovë është dhënë kaq shumë pas luksit, që politikanët tanë janë bërë kaq multimilionerë, që politikanët tanë bëjnë gara kush po pi ëhiski më të shtrenjtë, kush po pi puro më të shtrenjta, kush ka makinë më të shtrenjtë… këtë nuk e kam pritë. Gjej ngushëllimin shpeshherë duke lexuar një libër të një shkrimtareje të njohur Anna Maria Narte, mikeshë e imja në Suedi me origjinë nga Bukureshti, e cila sikurse unë që u ktheva në luftën e Kosovës, ajo u kthye në Bukuresht mbas rënies së Çausheskut dhe pas 2 vitesh u kthye në Suedi dhe bëri një libër të jashtëzakonshëm me titullin “Kush ma vodhi Rumaninë”.
Unë një milion herë kam thënë “Kush ma vodhi Kosovën”, kush na i vodhi ëndrrat tona dhe kush tjetër përpos klasës politike në Kosovë që nuk janë fare të shqetësuar me eshtrat e prindërve tanë që janë të zhdukur që ne nuk i dimë. Të paktën lule t’ju dërgojmë atje. Albin Kurti nga ai heroi, i cili thoshte që unë nuk pranoj t’ulem në dialog me Serbinë, pa na i kthy eshtrat e të pagjeturve, sot është kthyer në një njeri konfrontues me Bashkimin Evropian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në njeri që ka sjellë një hasmeri të jashtëzakonshme me Podgoricën, me Tiranën, me Shkupin.
Ky njeri nuk komunikon me askënd dhe për këtë më dhimbset ardhmëria e fëmijëve të mi se Albin Kurti me gjithë këta të tjerët (….) sot ekzistojnë nesër do përfundojnë në burgje”, tha me revoltë Milaim Zeka.
Top Channel