Mbajtën të fshehtë nipin 3-vjeçar, Gjykata e Apelit ndryshon masën e arrestit për gjyshin dhe kunatin në Durrës

22/05/2024 17:19

Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar vendimin e gjykatës së Durrësit për masën e sigurisë ndaj Rexhep Gjunit dhe kunatit të tij Arben Selaj, duke i lënë arrest në shtëpi.

Të dy u arrestuan si bashkëpunëtorë të gjyshes pas marrjes së padrejtë të nipit të tyre 3-vjeçar muajin e kaluar.

Fëmija iu mor dhe nuk iu kthye së ëmës me pretendimin se pas vdekjes së djalit të tyre në aksident nëna nuk po kujdesej mirë për fëmijën që ishte gjaku i tyre dhe amanet i të birit.

Vetëm pas kontrolleve të shtuara policore dhe arrestimit të gjyshit dhe kunatit të tij, vëllait të gruas, gjyshja Bahrie Gjuni u dorëzua në prokurori bashkë me nipin që iu kthye së ëmës.

Të dy u arrestuan për rrëmbim personi dhe pas dorëzimit, policia ndaloi dhe gjyshen, po gjykata e Durrësit  e vlerësoi të paligjshëm ndalimin e saj pas vetëdorëzimit dhe caktoi masën detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore. Pas kësaj u ankimua vendimi për gjyshin dhe kunatin e tij për të cilët u caktua arrest në shtëpi.

Top Channel