Liderë industrish, ligjvënës dhe ekspertë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Evropa u mblodhën në konferencën që trajtonte sfidat dhe veprimet që biznesi dhe politika në Shqipëri duhet të ndërmarrin për të përfituar nga procesi i integrimit evropian.
Konferenca u zhvillua nën drejtimin e kompanisë së mirënjohur ndërkombëtare “Straife”, e specializuar në shërbimet për këshillim risku dhe pajtueshmëri për qeveritë dhe korporatat anembanë botës. Ekspertët e huaj sollën panele diskutimi për sfidat e kompanive dhe mundësitë që vijnë nga përshtatja e politikave me ato të Bashkimit Evropian.
Sipas drejtorit menaxhues për Shqipërinë, Alket Hyseni, konferenca i jep bizneseve shqiptare mjetet e duhura për të naviguar sifdat në integrimin e Bashkimit Evropian
“Me një elitë ekspertize të nivelit të lartë në drejtim dhe menaxhim Straife e konsideron prioritet të vazhdueshëm menaxhimin e sfidave të rajonit në familjen e madhe evropiane, prandaj për të qenë edhe më afër ka hapur zyra në Bruksel dhe Tiranë. Ne duhet ti hapim sytë sot të gjejmë konsultën dhe ekspertizën e nevojshme, të bëjmë trajnimet e duhura dhe debatin e duhur në këtë moment, kur të mos jetë vonë dhe të orientohemi me vetëbesim në një të ardhme plot sfida por të sigurtë“-shprehet Alket Hyseni, Drejtor Menaxhues për Shqipërinë “Straife.
Konferencën e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë Tiranë që vendosi theksin te rëndësia që BE i jep pushteti lokal dhe ekonomisë që ajo prodhon
“70% e përshtatjes së legjislacionit të BE do jenë në nivel lokal. Prandaj ne si shoqata të bashkive kemi marrë këtë angazhim që në kohë rekord, ajo që ndoshta i mori disa vendeve 7-8 viteve, duhet të jetë një kohë më e shkurtër. Ka qenë iniciativa e kryeministrit për të përdorur inteligjencën artificile dhe për ta bërë procesin në një vit. Në këtë mandate të tretë fokus është ekonomia. Shqipëria vjet pati një bum turistik prej 10 milion turistësh, ndërsa këtë vit presim 14 milion e më shumë.”-shprehet kryebashkiaku Erion Veliaj.
Në panelet e diskutimit ishin dy tema kryesore, ku fillimisht u diskutua Autonomia Strategjike e Bashkimit Evropian dhe mundësitë e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor, ndërsa në pjesën tjetër diskutimet u fokusuan tek investimet e huaja në energjinë e rinovueshme në Shqipëri.
Top Channel