“E drejta për t’u shprehur, vlerë e mbrojtur në Kushtetutë”, Presidenti Begaj reagon për protestën në Bulevard: Rregullat e shtetit ligjor janë garanci për funksionimin e shoqërisë

24/06/2026 20:16

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi për herë të parë për protestat që po zhvillohen në Tiranë prej tre javësh.

Ndërsa para Kryeministrisë zhvillohej protesta e 25-të, Kreu i Shteti tha fjalën e parë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta. Presidenti Begaj foli për protestat gjatë fjalës së tij në aktivitetin e 100-vjetorit të Prefekturës së Tiranës.

“Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit  kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në  pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin  kombëtar dhe  atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe  demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë”.

Ndërsa është refuzuar dialogu nga protestuesit, të cilët kërkojnë largimin e gjithë kastës politike post-komuniste, Kreu i Shtetit kërkon të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën që i shërben të ardhmes evropiane te vendit.

“Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit”.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi rrugëtimin 100-vjeçar të Prefekturës së Tiranës, për përkushtimin, sfidat e mëdha dhe transformimet e thella.

Top Channel