Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë për klimën e biznesit: Rënie me 6 pikë krahasuar me një vit më parë, vlerësim pozitiv për furnizimin me energji Klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Raporti i Indeksit të Biznesit 2025, i publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), tregon një rënie të fortë të perceptimit të kompanive për klimën e të bërit biznes, krahasuar me një vit më parë.
Faktorët që kanë ndikuar më shumë në këtë përkeqësim janë klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia qeveritare dhe korrupsioni. Indeksi i Biznesit ka zbritur nga 46.47 pikë nga 100 në vitin 2024, në 40.34 pikë në vitin 2025.
“Flet për një përkeqësim sistemik të perceptimit të qeverisjes transparente dhe integritetit të tregut. Gjatë gjithë kohës kanë qëndruar poshtë niveleve, por duhen konsideruar si parametrat më problematikë. Rënia më e madhe kundrejt vitit 2024: klima e brendshme politike -14 pikë, infrastruktura -12.29 pikë dhe perceptimi i korrupsionit -9.36 pikë. Kemi dhe burokracinë qeveritare me rënie 9.54 pikë, performancën e ekonomisë me 11.44 pikë rënie dhe klimën e biznesit me 9.34 pikë. Vlera në minimume historike”, tha drejtori ekzekutiv i AMCHAM, Neritan Mullaj.
Pavarësisht elementëve të analizuar në raport, një nga shqetësimet që vijon të mbetet kryesor për bizneset është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, problem që sipërmarrësit e shohin edhe më të theksuar në të ardhmen.
“Gjetja e stafit të kualifikuar, shqetësimi kryesor. Treguesi ka një përmirësim, por nëse analizojmë përgjigjet, 70.1% e bizneseve në anketë përgjigjen se gjetja e stafit është e vështirë ose shumë e vështirë. Tregu i punës në Shqipëri po vuan nga emigrimi i fuqisë punëtore, si dhe mospërputhja e formimit profesional dhe nga një konkurrencë e vendeve që po thithin talentin”, tha drejtori ekzekutiv i AMCHAM, Neritan Mullaj.
Edhe korrupsioni vijon të mbetet shqetësues për bizneset në Shqipëri. Sipas të dhënave, 68% e anëtarëve të AmCham e vlerësojnë korrupsionin si të lartë ose shumë të lartë, ndërsa vetëm 7% e konsiderojnë atë të ulët ose shumë të ulët. Një e katërta e bizneseve të anketuara mbajnë një qëndrim neutral.
“Flasim për perceptim më të keq të korrupsionit. Rënia dëshmon erozionin e shpejtë të besimit në integritetin institucional dhe kthen korrupsionin në krye të axhendës së reformave që komuniteti i biznesit kërkon”, tha drejtori ekzekutiv i AMCHAM, Neritan Mullaj.
Sondazhi i AmCham, i cili konsiderohet një nga matjet më të rëndësishme të perceptimit të investitorëve dhe kompanive që operojnë në Shqipëri, tregon se për më shumë se 51% të bizneseve pjesëmarrëse në anketë, klima e biznesit po bëhet gjithnjë e më e pafavorshme.
Top Channel