Doganat performancë pozitive/ Tejkalojnë planin e të ardhurave, 62.1 mld lekë në 3 muaj

24/06/2026 15:18

Administrata Doganore vijon të shënojë rezultate pozitive, duke përmirësuar ndjeshëm performancën financiare dhe cilësinë e shërbimeve ndaj biznesit dhe qytetarëve.

Gjatë periudhës mars-maj 2026, të ardhurat arritën në 62.1 miliardë lekë, ose 102% e planit, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u mblodhën rreth 3 miliardë lekë më shumë, me një rritje prej 5.2%.

Edhe performanca mujore ka qenë në rritje të vazhdueshme. Në mars realizimi ishte 103.2 për qind i planit, në prill 105.8 për qind, ndërsa në maj arriti në 106.4 për qind, duke reflektuar një ecuri të qëndrueshme gjatë gjithë periudhës.

Këto rezultate janë arritur pavarësisht ndikimit negativ të kursit të këmbimit, i cili uli potencialisht të ardhurat me rreth 1.8 miliardë lekë. Sipas të dhënave, pa këtë efekt, realizimi do të ishte 104.8% e planit, ose afro 4.8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rritje është shënuar edhe në zhdoganimin e mallrave të akcizës. Vetëm për karburantet janë zhdoganuar 168,749 ton, ose rreth 36 mijë ton më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Ndërkohë, zhdoganimi i cigareve arriti në 802 njësi matëse, niveli më i lartë i viteve të fundit, ndërsa importi i kafesë u rrit në 2,105 njësi, duke shënuar gjithashtu rekord për periudhën mars-maj. Këta tregues reflektojnë rritjen e aktivitetit ekonomik dhe një administrim më efikas të procedurave doganore.

Paralelisht me rritjen e të ardhurave, Administrata Doganore ka përmirësuar edhe shërbimin ndaj operatorëve ekonomikë dhe qytetarëve, përmes thjeshtimit të procedurave dhe uljes së kohës së përpunimit, duke e bërë performancën pozitive të reflektohet jo vetëm në shifra, por edhe në cilësinë e shërbimit. Një kombinim që synon të garantojë jo vetëm më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, por edhe një administratë më moderne, më efikase dhe më pranë nevojave të sipërmarrjes.

Top Channel