Përjashtohen nga policia e Shtetit dy prej 4 efektivëve që bashkëpunonin me kriminelë, të zbuluar në operacionin e fundit të SPAK.
Ata janë Klodian Shahini dhe Henerigert Mitri. Në dosjen e SPAK-ut sqarohej se kur ishin drejtues në policinë e Lezhës ata bashkëpunonin me Edison Recin për të realizuar hakmarrjen e tij ndaj Preng Gjinit.
Klodian Shahini dyshohet se duke shfrytëzuar pozicionin e tij si nënpunës policie, ka ndihmuar Elson Reçin për t’i verifikuar atij targat e automjeteve të përdorura nga Preng Gjini, si dhe të gjitha hyrje-daljet e këtij të fundit nga pikat kufitare në vend.
Henerigert Mitri ka pasur komunikime të vazhdueshme me biznesmenin Pëllumb Gjokën, të cilit i ka siguruar qetësinë për të vijuar aktivitetin e tij kriminal për lojërat e fatit.
Shahini bashkë me drejtorin e Policisë në atë kohë Henerigert Mitrin, akuzohen po ashtu se drejtonin aktivitetin kriminal të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
“Përjashtimi i tyre nga Policia e Shtetit është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë” thuhet në urdhrin që mban firmën e drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili po ashtu paralajmëron: se “Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, bashkëpunon me grupet kriminale”, -thuhet në njoftimin e policisë së Shtetit.
Top Channel