Rrëzohet helikopteri ku po udhëtonte Presidenti i Iranit, ekipet e shpëtimit nuk mbërrijnë dot në zonë, shkak kushtet atmosferike

19/05/2024 15:40

Televizioni shtetëror i Iranit ka thënë se disa ekipe për shpëtim janë duke tentuar të arrijnë te një helikopter i përfshirë në aksident, në të cilin ka qenë presidenti i vendit, Ebrahim Raisi.

Televizioni nuk ka dhënë më shumë detje. Raisi ka qenë duke udhëtuar në Azerbajxhanin Lindor, provincë iraniane. Televizioni shtetëror ka thënë se incidenti ka ndodhur afër Xholfas, qytetit në kufi me shtetin e Azerbajxhanit, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian, Teheranit.

Televizioni ka thënë se ekipet e shpëtimit kanë tentuar të arrijnë te zona e incidentit, mirëpo janë duke u penguar nga kushtet e këqija atmosferike.

Në atë zonë është raportuar për shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë. Raisi ka qenë në Azerbajxhan të dielën, për të inauguruar një digë, bashkë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Kjo digë është e treta që ndërtojnë dy vendet mbi lumin Aras.

Irani ka disa helikopterë, mirëpo sanksionet ndërkombëtare e vështirësojnë ndërrimin e pjesëve të tyre. Flota ushtarake ka pajisje që datojnë prej periudhës para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Raisi, 63-vjeçar, është zyrtar i linjës së ashpër që paraprakisht ka udhëhequr sektorin e gjyqësorit.

Ai është i afërt me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa analistë sugjerojnë se ai mund të zëvendësojë liderin 85-vjeçar, pas vdekjes së tij, apo heqjes dorë nga pushteti.

Raisi i ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, proces që është konsideruar me daljen më të ulët të popullit në historinë e Republikës Islamike.

Raisi është i sanksionuar prej Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e tij në ekzekutimet masive të mijëra të burgosurve politikë më 1988, në fund të luftës së përgjakshme Iran-Irak.

Nën udhëheqësinë e Raisit, Irani tani pasuron uranium në nivele të larta dhe shmang inspektimet ndërkombëtare.

Iran armatos Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, si dhe ka nisur sulm masiv me dronë dhe raketa kundër Izraelit këtë vit, për luftën e nisur kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej SHBA-së dhe Bashkimit Evropian – në Rripin e Gazës.

Teherani, po ashtu, vazhdon të armatosë rrjetëzimet e veta në Lindje të Mesme, sikurse rebelët Huthi të Jemenit dhe Hezbollahun e Libanit./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA