EMRAT/ Megaoperacioni i SPAK, GJKKO 43 urdhër arreste! Mes tyre vëllezërit Avdylaj dhe Duka! Në kërkim ish-deputeti i PS, dhe nipi, pranga të afërmit të Pëllumb Gjokës

18/05/2024 13:39

43 urdhër arreste janë lëshuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa SPAK po zhvillon operacion në disa qytete të vendit.

Operacionet e drejtuara nga SPAK po zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Krujë dhe Shkodër, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në banesa. Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve në aplikacioneve Sky ECC që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Në shënjestrën e SPAK janë vënë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami, dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Docja apo dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj, pjesë e bandës së Shijakut.

Kujtojmë se Fatmir Hyseni alias Docja është në kërkim për dy atentate ndaj Inez Hajrulla dhe Santiago Malkos.

Astrit Avdylaj, me nofkën “Niçja”, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj. Ata ranë në pranga në tetor të vitit 2018 për operacionin “Vol-Vo 4” dhe u liruan dy vite më pas.

Mes listës së urdhër arresteve është edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, bashkë me nipin, Samuel Ndokën

Në polici janë shoqëruar Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, përkatësisht vëllai i deputetit Eduard Ndreca dhe kushëriri i tij.

Gjatë operacionit u vu në pranga biznesmeni nga Velipoja, Mir Bruli, i afërm i Pëllumb Gjokës, ndërsa u shpall në kërkim ish-deputeti i PS, Arben Ndoka.

‘Kokat’ e krimit për të cilët janë lëshuar urdhër arreste nga GJKKO: Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Doçja, Albert Zaja, Valter Bami, Durim Bami, Astrit Avdylaj, Altin Avdylaj, Plaurent Dervishaj, Endrit Dokle dhe Xhevi Ndoka.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi aksionin e SPAK, ku janë aprovuar 43 masa sigurie për akuza nga më të rëndat, si vrasje, sigurim mjetesh për vrasje apo pjesë e organizatave kriminale, ndërsa aksioni i SPAK është vazhdim i dosjes “Metamorfoza”.

Prokuroria e Posaçme (SPAK), më 4 maj dha detaje me anë të një njoftimi zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve për të pandehurit e akuzuar për dosjen “Metamorfoza”.

Hetimi për Ervis Martinajn mbi përfshirjen e tij në këtë dosje, është veçuar. I shumëkërkuari, shfaqet në bisedat me Behar Bajrin të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit.

Në përfundim të hetimeve, SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj të pandehurve, Pëllumb Gjoka, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç për vrasjen e Gjin Ndojit, si dhe Astmer Bilalit e Ardirit Hasanbegaj për sigurimin e mjeteve për atentatin ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Ndërsa ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri akuzohet për zbulimin e të dhënave sekrete, prishjen e provave dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.

Prokurorit të Shkodrës Xhevair Lita që shfaqej duke komunikuar me anëtarë të grupit për zhvillimin e dosjeve hetimore , i është hequr akuza e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor.

28 emrat e zbardhur deri më tani për të cilët janë lëshuar urdhër arreste, disa janë ekzekutuar:

1- Leonard Duka – Arrestuar në Belgjikë
2- Erlis Duka – Në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos
3- Astrit Avdylaj – Në kërkim për sigurim kushtesh për të kryer vrasje
4- Altin Avdylaj – Shijak
5- Valter Bami – Krujë
6- Durim Bami – Në kërkim i strehuar në Dubai, sigurim kushtesh për të vrarë Marklen Hakën
7- Endrit Dokle – Durrës
8- Plarent Dervishaj –Në kërkim si pjesë e bandës së Durrësit
9- Arben Ndoka, ish-deputeti i PS – Në kërkim, i përmendur në dosjen “Metamorfoza
10- Xhevi Ndoka – vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka
11- Fatmir Hyseni alias Doçja – Fatmir Hyseni alias Doçja në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos dhe atentatin ndaj Inez Hajrullës
12- Albert Zaja, i arrestuar në 2021 dhe i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit
13- Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca

14- Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca
15- Miri Bruli- Shkoder
16- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë
17 – Ergert Mitri – Polic, ish-drejtori i policisë Lezhe
18- Klodian Shahini – ish punonjës policie kufitare
19 – Altin Morina – Ish efektiv i RENEA-s
20- Marklen Haka -i lakuar si i përfshirë në ngjarje kriminale,
21- Arjan Tuku, arrestuar në Itali
22- Denis Meta, arrestuar në Spanjë
23- Naim Stafuka – Fushe Kruje – Arrestuar
24- Samuel Ndoka – nipi i Arben Ndokës
25- Aldo Avdylaj nipi i Astritit, sigurim kushtesh për të kryer vrasje
26- Santilo Basho- i arratisur nga burgu, masa i është komunikuar në burg
27- Viktor Imeri, në burg për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames
28- Ervis Doçi njohur si “Visi i Pojës”

Top Channel