Drejtori i Departamentit të Informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, i ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën analizoi takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Athinë dhe retorikën politike të përdorur lidhur me shtetin fqinj.
Sipas Rakipllarit, gjatë drejtimit të Ramës, Shqipëria ka qenë në nivel të barabartë me Greqinë sa i takon marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Por sa i takon takimit me emigrantët shqiptarë, Rakpllari tha se ky angazhim i Ramës për një tur të tillë, vjen pasi ai e ka kuptuar se diaspora shqiptare është faktor elektoral.
“Nga pikëpamja e politikës së jashtme Rama ka qenë në një nivel të barabartësh me Greqinë. Kjo vizitë e Ramës atje, kishte lidhje me kontekstin e zhvillimeve të fundit, por çfarë ka llogaritur Rama përtej kësaj është se tashmë vota e diasporës dhe diaspora si një faktor elektoral është një çështje që nuk mund të shmanget më. Nëse deri tani diaspora është parë si kontribuese për remitancat ka ardhur momenti të kthehet në faktor elektoral. Rama e ka kuptuar këtë gjë i pari”- tha Rakipllari.
Ndër të tjera, Rakipllari shtoi se turi i takimeve të Ramës me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit ka të bëjë me përpjekjen për të zgjeruar ndikimin e Partisë Socialiste në vendet ku jetojnë më së shumti shqiptarë.
“Vizita e tij në Athinë dhe vazhdimi i mëtejshëm i këtij turi lidhet me zgjerimin e territorit elektoral të PS përtej këtij vendi ku kanë neglur shumë pak shqiptarë. Mendoj se është një lloj patronazhimi përtej territoreve shqiptare. Vota e diasporës do jetë në 2025-ën, sesi do bëhet mbetet për t’u parë. Rama po kalon në nivelin e patronazhimit të mëtejshëm të diasporës dhe të blindimit të një fitoreje të mundshme në 2025-ën”- theksoi Rakipllari.
Top Channel