Pas gati një dekade bisedimesh, Këshilli i BE-së i përbërë nga përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare, vulosi reformimin në themel të procesit të azilit në BE.
I ashtëquajturi Pakti i Emigracionit, që përbëhet nga dhjetë ligje, pretendohet të reduktojë ndjeshëm fluksin e emigrantë, të shpejtojë proceset e azilit dhe t’i vendosë ato në kufijtë e jashtëm të bllokut. Sipas të dhënave nga zyra e statistikave të BE-së, Eurostat, numri i kërkesave për azil ka qenë vitin e kaluar 1,14 milionë.
Prej vitesh ky numër ka qenë vazhdimisht në rritje. Përveç kësaj, që prej vitit 2022, në BE janë vendosur rreth katër milionë refugjatë lufte të ardhur nga Ukraina. Tani, pas mbërritjes me rrugë tokësore, detare, apo ajrore azilkërkuesit dhe refugjatët, duhet të identifikohen brenda shtatë ditësh dhe të regjistrohen në të dhënat e zgjeruara biometrike, “Eurodac”.
Të ardhurit nga shtetet me kuotë pranimi nën 20 përqind do të mbahen në kufi, pa lëvizur për një periudhë kohore maksimumi 12 javë. Në këto kampe që duhet tani të ngrihen në Greqi, Itali, Maltë, Spanjë, Kroaci dhe Qipro do të merret vendimi se kush do të kthehet mbrapsht në vendlindje, pa qenë nevoja për të bërë verifikime të tjera. Eigrantët nga shtetet me kuotë më të lartë pranimi do të hyjnë në proces normal azili. Ky proces, që mund të zgjasë sot për vite të tëra, duhet kryer në periudhë smë të shkurtër kohore.
Azilkërkuesit, kërkesa e të cilëve refuzohet, duhet të dëbohen direkt prej kufijve të jashtëm. Ndërkohë, mes shteteve anëtare të BE-së, duhet të sundojë një „solidaritet i detyrueshëm”. Shtetet si Hungaria, që nuk duan të pranojnë njeri, duhet të paguajnë një kompesim ose t’i dërgojnë personel dhe pajisje shteteve të BE-së, ku emigrantët hedhin hapin e parë kur hyjnë në BE. Shuma për kompesimin është 20 mijë euro për çdo migrant që nuk pranohet.
Top Channel