“Morëm goditje e plagë, i tejkaluam dhe secili ndihet krenar sot”, Gjekmarkaj nga Bulqiza: Sot kemi një problem themelor…

07/05/2024 17:26

Demokrati Agron Gjekmarkaj zhvilloi një takim me përkrahësit e Bulqizës këtë të martë bashkë me sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, Luçiano Boçin, anëtarin e kryesisë Belind Këlliçi, drejtuesin politik të Dibrës, Xhelal Mziu dhe koordinatorin e qarqeve të veriut, Gazmir Spahia.

Deputeti tha se problemi themelor i Partisë Demokratike është se Sali Berisha është në arrest shtëpie.

Gjekmarkaj: PD është shfaqur në skenën e historisë si një parti që e ndryshon atë dhe e ka bërë disa here duke e ndryshuar fatin e vendit në vitin vitin 1992 apo në vitin 2005. Po ashtu edhe historia nuk e ka kursyer atë, i është kundërvënë me atavizmat e veta me shumë dhunë si në vitin 1997.

Ajo ka mbijetuar falë qëndresës së një pakice heroike e cila është zgjeruar në bashkëbisedim me shoqërinë ditë  pas dite. PD e ndjek hap pas hapi shoqërinë  duke u bërë zëdhënëse e dinamikave të saj ajo nuk pretendon që shoqëria të vijë qorrazi pas nesh. Po kaq ne kemi qenë nën agresion dhe sulm nga shumë faktorë në këtë periudhë, në këtë ecje në shkretëtirë, për të na zhbërë e asgjësuar!

Kjo ka ndodhur se tek PD kanë parë frikën për rrëzimin e tyre. PD e tejkaloi këtë dramë, u bashkua, kemi marrë goditje e plagë i tejkaluam dhe secili ndihet krenar dhe sot e do e çmon më shumë PD-ne si vatrën tonë të përbashkët, strehën e shpresave të mëdha. Sot kemi një problem themelor, Kryetari i PD Sali Berisha është arrestuar. Nëse në fillim kishim ndonjë iluzion se ky është një problem vetëm i sistemit të drejtësisë sot jemi të qartë që ky është një problem madhor i ndërgjegjes shoqërore sepse kur ndalet  themeluesi i pluralizmit kërkohet asgjësimi i pluralizmit dhe lirisë. Shoqëria shqiptare nuk duhet të bishtnojë duhet ta zgjidhë këtë ngërç në subkoshiencën e vet.

Të dashur demokrate ne nuk duhet ta humbasim krenarinë se çfarë kemi qenë çfarë jemi e çfarë duam t’i ofrojmë Shqipërisë!

Shumë ka arrit Shqipëria me PD në pushtet, lirinë, shtetin e së drejtës, integrimin, Naton lëvizjen pa viza, infrastrukturën moderne ! Ne duhet të flasim me njerëzit ! PD po bën denoncime të forta dhe bën detyrën e saj por PD ka kapacitet shumë më tepër sesa denoncimet ajo po përgatit ofertën e saj për Shqipërinë, për transformime ekonomike për rroga e pensione, më të larta, për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, për përmbylljen e procesit të integrimit që ne nisëm, për arsim e shëndetësi dinjitoze për kthim të shqiptarëve në Shqipëri.

Në Bulqizë jetohet mbi pasuri mbi ar dhe minerale por Bulqiza është e varfër dhe këtu duhet të kërkojmë falje të gjithë se falja na bën më të mirë dhe na ndihmon të jemi me të vërtetë me qytetarët. Sot dëgjuam  për dy orë Kryeministrin i cili foli sikur ka 11 vjet në opozitë dhe po premton që si rishtar do ndreqë gjërat e këqija që ka bërë një qeveri tjetër jo ajo e atij. Teza e tij ishte drejtësia si fabul elektorale. Dikur në sensin me pozitiv na u tha që reforma në drejtësi u mbështet, pat si kumbare faktorin ndërkombëtar! Rama tha sot e bëra unë po që do e lë të lirë që të bëjë drejtësi të vërtetë! Natyrisht ky spektakël e argëton, nuk i dhemb se lëshon ca ministra dhe ca drejtorë pa mbajtur përgjegjësi morale ndërkohë qindra të tjerë vjedhin të patrazuar dhe ushqejnë sistemin që korrupton votën e lirë dhe jetën publike.

Shikoni kudo skandapë në bashki, në ministri në qeveri, para publike që vidhet , paftësi që na dhurohet, korrupsion që ndyn gjithçka vetë cilësinë e jetës.

Kjo shoqëri duhet të bëjë një zgjedhje o ta luftojë korrupsionin dhe të bëhet shoqëri e lirë europiane e demokratike ose t’i nënshtrohet atij dhe të humbasë perspektiven. Kjo qeveri do bëjë gjithçka që të mbetet e pandryshuar gjendja. Është detyra jonë e shenjtë t’i bëjmë ndryshimin, ku pas bashkimit të hapim PD, të flasim me njerëzit, të nxisim më të mirët intelektualët, profesionistët , njerëzit e zakonshëm t’i bashkohen politikës, t’i japin Shqipërisë fitoren që pret duke vënë në provë PD duke i dhënë asaj besim duke e mbështetur në këtë betejë sa historike dhe kundër tentakulave të historisë!

Top Channel