Prej disa ditësh shitësit e vegjël në Belsh në protestë! Bashkia i ka nxjerrë në një shesh jashtë qytetit

29/04/2024 15:22

Prej disa ditësh tregtarët ambulantë të qytetit të Belshit janë përfshirë në një protestë, pasi me vendim të Këshillit Bashkiak, bashkia ka zhvendosur tregun në një zonë larg qytetit.

Janë rreth 300 tregtarë të cilët preken nga ky vendim, sipas tyre abuziv, i pakonsultuar me grupet e interesit.

“Jemi 400 familjarë që kemi ndërtuar të ardhmen tonë mbi këtë aktivitet, pa na marrë mendimin ndërtojnë një treg jashtë zonës së banuar”, thonë banorët.

Sipas Bashkisë së Belshit tregtimi në qytet, në kushte jo të përshtatshme krijonte një pamje jo të bukur për turistët e shumtë që e vizitojnë këtë zonë e gjithashtu ndotja që linin pas tregtarët ishte e madhe.

Më herët tregtarët kanë zhvilluar aktivitetin e tyre një herë në javë në periferi të Belshit. Aktiviteti zhvillohej në anë të rrugës, jashtë kushteve të përshtatshme, por largimi i tyre 5 km larg qytetit gjithashtu është i papërshtatshëm. Tregtarët kërkojnë një vend me kushtet e përshtatshme pranë qytetit ku edhe banorët të kenë mundësi të arrijnë.

Top Channel