I veshur me të zeza dhe kapuç/ Momenti kur autori vendos lëndën plasëse në banesën e gjyqtarit në Shkodër dhe largohet me shpejtësi

29/04/2024 13:15

Momenti i vendosjes së lëndës plasëse në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj nga një person i paidentifikuar është filmuar nga kamerat e sigurisë.

Një person i maskuar dallohet teksa i afrohet banesës në këmbë. Hedh lëndën plasëse dhe largohet me shpejtësi. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Ndërkohë policia e Shkodrës ka shoqëruar deri tani tre persona por ende nuk ka asnjë person të dyshuar.

Kujtojmë se rreth orës 03.00 të mëngjesit të së dielës gjyqtarit Tonin Sterkaj iu vendos lëndë plasëse në oborrin e banesës së tij në qytetin e Shkodrës.

Sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani gjyqtari ka deklaruar në polici se nuk kam dijeni kush e ka bërë.

“Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.

Nga raportimet e para bëhet me dije se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në vendngjarje po heton mbi këtë rast dhe personin apo personat që kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse dhe shkaqet.

Ndërsa e shprehu mbështetjen e magjistratëve përmes një reagimi në Facebook pas ngjarjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor sot mbledh komisionin e posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve.

Top Channel