Ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali, i cilësoi si shpifje dhe mashtrime akuzat e opozitës për dokumentarin e publikuar në RAI-3 për Shqipërinë, teksa nuk i kurseu ironitë.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Spiropali tha se mostransmetimi nga RAI i dokumentarit për marrëveshjen për emigrantët dje, krijoi shqetësim tek disa segmente politike në Tiranë, por e vërteta është ndryshe, teksa shprehu solidaritet me drejtorin e emisionit.
Elisa Spiropali: Hataja ndodhi edhe njëherë si përherë. Hodhën një gur në ajër dhe të tërë ju, o gra e burra të ndjekim gurin se krahu na la shëndenë. E bleu edhe Rai-n, ky diktatori i Tiranës.
Si? Sipas zakonit. Siç ka blerë departamentin e shtetit, Home Office, shtypin suedez, opinionin publik ne Evropë, Melonin, Sanchezin, këshillin e Evropës dhe komisionin e venecias. Siç ka blerë të gjithë dhe gjithkënd.
Sa? Ky diktatori i Tiranës që ka blerë nëntë fitore elektorale në Shqipëri, që do të fitojë edhe tjetrën që është në prag, që shet Shqipërinë për të blerë vota dhe shet edhe shokët për të blerë ndërkombëtarët, mund ti ketë cuar Rai-t nja 30 a 70 meleonë me euro. Nga ato që i kanë tepruar mbasi bleu Melonin, ndoshta.
Me sa dhe si, ky është hesapi i tyre sepse përtej tij, ka një llogari morale, një faturë dinjiteti që duhet paguar prej këtyre që nuk ju ndahet dora nga guri si shpirti nga vesi.
Mbasi shpikën, sajuan, prenë dhe qepën çfarë dëgjojnë dhe çfarë mendojnë se e shpik makthi i tyre më i madh, dëgjuan në italisht një pjesë të përçarjes së tyre dhe tani kërkojnë hesap se për të kuptuar se çfarë kanë thënë në përçartje. Me atë teknologjinë e djegies së gjithë Shqipërisë për hir dhe llogari të pleshtave që hidhen nga paralelja në paralele dhe bërtasin nga penxherja në penxhere.
Nuk ka rëndësi përbaltja e vendit, por shpresa që pak nga kjo baltë e Tiranës të tregtohet nga shejtanë budallenjtë e paketuar në italisht!
Goxha hesap të dëshpëruarish. Dhe nuk mbaron këtu, sepse këtu zë fill dhe marrëzia e atyre që kanë humbur fillin!
Sipas drejtorisë së Përgjithshme të KUZM (kanalizimet e ujërave të zeza mediatike) edhe RAI-i qenka shitur tek ER.
Domethënë meqë episodi i mbrëmshëm javor RAI nuk paska vazhduar të sjelle në Tiranë me ambalazh italian produktin e KUZM mbi fytyrën e Shqipërisë, për t’i derdhur në shtëpitë e italianëve njësoj siç ato derdhen përditë nga KUZM në shtëpitë e shqiptarëve, kjo na qenka prova e radhës e fuqisë se ER censuruese përtej kufijve të Shqipërisë
Dhe për këtë drejtoria është hedhur në sulm mbi drejtuesin e programit Report, që sipas kuzm të saj paskej paralajmëruar më parë atë që nuk ndodhi, por në fakt drejtuesi i RAI3 Report nuk ka paralajmëruar asgjë tjetër përveçse që programi i tij do të vazhdonte të merrej me temën e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët dhe tamam këtë ka vazhduar të bëjë edhe mbrëmë, po pa hedhur asnjë gram baltë mbi Shqipërinë e shqiptarët si herën e kaluar
Kaq ka mjaftuar që drejtuesi i RAI3 Report te hyje ne listën e palavdishme te marketit ER, ky autokrati blen gjithçka e lejon karta e tij e parave te drogës. Kaq ka mjaftuar qe ai te shpallet i shitur, RAI të futet në listën e mediave të censuruara nga ER dhe drejtoria e KUZM të ngrejë në gjysmë shtize flamurin e zisë për fundin me turp të një operacioni gënjeshtrash, shpifjesh, fabrikimesh të trafikuara jashtë Shqipërisë duke mashtruar autorët e atij programi, të cilët në emër të lirisë e të pavarësisë së informimit ranë pre e manipulimit të xhahilëve e ahengxhinjve të vendit tonë.
Sepse nuk do kalem qe te shkruhet dhe mend qe te gjykohet se edhe kësaj here, historia kokëpërmbyset. Nëse zakonisht është babai qe gënjen te birin duke i treguar arat qe nuk ekzistojnë, fitoret e luftërave qe nuk kane ndodhur kurrë, të trofeve që po kurrë nuk janë marre, është i biri, që me sy e veshe, me këmbë e duar, tregon se pse babait i kane humbur arat, pse i kane vjedhur fitoret dhe i kane thyer trofetë.
Unë nuk hyj ne këtë marrëdhënie nipotike, siç do te thoshte ai aleati tjetër i paraleleve, por nuk le pa thëne se mbas perdeve te asaj penxhereje ku derdhet aq llum e vrer kundër Shqipërisë dhe shqiptareve, ka shume fantazma. Zoti Makbeth qe nuk fle dot natën dhe nuk di si do te gdhije ditën, është e do te jete nen gjykim për çfarë beri keq e kriminalisht dikur dhe për çfarë do te duhet te paguaje për krimet e papaguara ndaj Shqipërisë dhe shqiptareve.
Në pritje që ER te beje me RAI3 Report një intervistë të pa censuruar, i shprehim solidaritetin tone drejtuesit të programit Report për këtë sulm të turpshëm të manipulatorëve të tij dhe i sigurojmë të lartpërmendurit se nuk kanë parë gjë akoma
Interesi im politik dhe jam e bindur, edhe interesi i te gjithë shqiptareve e do qe ju te bridhni si hebrenjte ne shkretëtire nga gafa ne gafe dhe nga humbja ne humbje, por pa mbërritur kurrë ne token qe ju i premtoni vetes ne ëndrrat tuaja me pushtet te rikthyer. Po te ndiqja vetëm këtë interes do t’ju thoja: aferim ne yryshin tuaj! Por nuk e bej! Sinqerisht me vjen keq! Me dhimbseni. As hasmit nuk do t’ja uroja këtë tororisje ne çmenduri dhe këtë pushtet te çmendurisë qe ju i jeni blatuar sa vite ne kurriz te Shqipërisë.
Top Channel