Qendra e votimit në Zveçan u mbyll dhe sikurse raportohet paraprakisht, askush nuk iu drejtua kutive të votimit, për të votuar.

Në katër komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok mbahet sot zgjedhjet me pyetjen drejtuar qytetarëve nëse duan apo jo të largojnë kryetarët aktualë shqiptarë. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe. Dhe duket se banorët me shumicë serbe iu përgjigjën thirrjes së Listës Serbe.

Një vit më parë, ata u bënë kryetarë të komunave në veri të vendit pasi Beogradi iu kërkoi serbëve në Kosovë që t’i bojkotonin zgjedhjet e 23 prillit 2023, gjë që rezultoi me zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë, fitues me pjesëmarrjen e vetëm 3% të votuesve. Udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga LVV-ja, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga PDK-ja, udhëheqjen e Zveçanit e mori Ilir Pecit nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut erdhi Erden Atiq nga LVV-ja.

Partia dominuese në veri të Kosovës, Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi, iu bëri thirrje serbëve që të mos marrin pjesë në këtë votim, me arsyetimin se ai është organizuar në atë mënyrë që t’ua mundësojë kryetarëve aktualë të qëndrojnë në udhëheqje të këtyre komunave deri në fund të mandatit.

Për t’u bërë i mundshëm largimi i kryetarëve aktualë të katër komunave veriore dhe organizimi i zgjedhjeve të reja në veri, më shumë se 50%e atyre që kanë të drejtë të votojnë duhet të merrnin pjesë. Praktikisht, tashmë e pamundur.

Top Channel