Po transportonin emigrantë të paligjshëm për të kaluar kufirin, policia arreston një nga shoferët, në kërkim tjetri

18/04/2024 13:01

Një 37-vjeçar është vënë në pranga në Fier, pasi po transportonte emigrantë të paligjshëm, të cilët do të kalonin kufirin pa leje. 

Xh. C., 37 vjeç, banues në Fier dhe një tjetër, po i transportonin ata në makina të ndyrshme. Atyre iu është bërë shenjë për të ndaluar në aksin rrugor “Këlcyrë-Ura e Leklit”. Ata nuk i janë bindur urdhrit, kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen dhe kanë braktisur automjetet në fshatin Mezhgoran. Menjëherë, shërbimet e Policisë iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat i koordinimit me DVP Fier, është mundësuar kapja e njërit prej tyre, shtetasit Xh. C..

Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte 37-vjeçari, u konstatuan 11 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin.

Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të shtetasit Xh. C., i cili dyshohet se mbikëqyrte rrugën ku kalonte automjeti, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.

Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Top Channel