Mijëra besimtarë katolikë u mblodhën në komunitetin Tanarandy në jug të Paraguait, për procesionin tradicional të qirinjve në të Premten e Mirë, dedikuar ‘Virgen de los Dolores’ që kulmon me ekzibicionin e “pikturave fetare në jetë”.
“Kjo është pjesë e kulturës sonë” tha pjesëmarrësja Marcela Gimenez, duke shtuar se eventi në Tanarandy konsiderohet si “një nga shtatë mrekullitë e Paraguait”.
Organizatori Koki Ruiz thotë se mbështetja për eventin ka ardhur në rritje.
“Më vitin ’92 kur ne e nisëm këtë ishte diçka e vogël por tani Tañarandy njihet në të gjithë vendin për këngën e ceremoninë e ‘Estacioneros’ që ne e zhvillojmë çdo vit si punim dhe ushtrim artistik”, tha Ruiz.
Pashka është një festë e rëndësishme katolike në Paraguai dhe java është e mbushur me ceremoni tradicionale në kujtim të Pasionit, Vdekjes, e Ringjalljes së Krishtit.
Por në Tañarandy atmosfera fetare është më e ndezur.
“Unë vij nga qyteti i Ypacarai, për herë të tertë në Tañarandy. Jam këtu me të gjithë familjen pasi njoh kulturën e vendit tim”, shtonte Marcela Giménez
“Ne këndojmë për pasionin dhe vdekjen e zotit tonë Jezus Krishti, të gjitha këngët i referohen vdekjes së Jezusit dhe Marisë kur merr djalin e saj Jezusin. Përgatitemi prej kohësh për këtë sepse është një burim krenarie për ne”, tha pjesëmarrësja e procesionit Ignacia Benítez për rrjetin AFP.
Një tjetër traditë e javës së shenjtë në Paraguai është dhe prezantimi “Vía Crucis Viviente” (Ndalesat e gjalla të Kryqit) që kryhet në disa vendndodhje të fshatrave, me aktorë që luajnë rolin e Jezusit, të apostujve dhe personazheve të tjerë biblikë. Besimtarët ndjekin rrugën e procesionit, duke rijetuar simbolikisht momentet e fundit të jetës së Jezusit.
Top Channel