Pas katër vitesh në këtë post, nga shtatori Miroslav Lajcak nuk do të jetë m,ë i dërguar i posacëm i BE-së për dialogun.

Mandati i ish ministrit të jashtëm sllovak përfundon në fund të gushtit, e nga sa pohon REL, në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të bllokut nëpër botë, ai pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Lajçak, sipas të njëjtës media, do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bernë, më 1 shtator të këtij viti.

Se kush do ta zëvendësojë atë si i dërguar i bllokut për raportet Prishtinë-Beograd, kjo nuk dihet ende. Pritet që një gjë e tillë te përcaktohet më vonë, pas rotacionit të një numri të madh të ambasadorëve të BE-së nëpër botë. E po kështu për më vonë është lënë edhe vendimi lidhur me qasjen e bllokut në të ardhmen në raport me dialogun e vështirë mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi për këtë duhet marrë sidoqoftë përpara 1 shtatorit në mënyrë që të largimi i Lajçakut të mos krijojë vakum. Për këtë, shumë varet me sa duket nga hapat që do të ndërmarre shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, i cili do të pasojë në këtë pozicion Josep Borrellin.

Se kush do të jetë kreu i ri shefi i ri i diplomacisë evropiane dhe linja kundrejt dialogut që Brukseli e ndërmjetëson që nga viti 2011, kjo do të përvijohet më qartë pas zgjedhjeve europiane të qershorit, nga të cilat do të përcaktohet edhe përbërja e re e Komisionit Europian. Sakaq shefi i ri i zyrës së BE-së në Prishtinë është zgjedhur ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, post ky që ka edhe rangun e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian. Orav duket ka njohuri të mira rreth rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer më parë si shef i delegacionit të bllokut europian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Ndërkohë ish ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, pritet të bëhet shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.

Top Channel