Ripyllëzimi i luginës së Vjosës, nis mbjellja e fidanëve të rinj në zonat e përmbytjeve shumëvjeçare

22/03/2024 15:34

Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve në Tepelenë, ka nisur ripyllëzimi i luginës së Vjosës, në territorin e përmbytjeve shumëvjeçare.

Programi “ReForestVjosa” ka inicuar fidanishten e parë të pemëve autoktone të luginës si pjesë e planit të ripyllëzimit të Parkut Kombëtar dhe përgjatë kufijve të tij. Bazuar në studimet e shkencëtarëve austriakë dhe shqiptarë, janë përcaktuar 10 zona kyçe për ripyllëzimin.

“Që prej vitit 2017 unë po punoj në territorin e përmbytjeve të Vjosës dhe kam një përvojë të gjatë në këtë luginë. Përgjatë këtyre viteve kam parë një nivel shumë të lartë shpyllëzimi përgjatë Vjosës të shkatuar nga prerjet e paligjshme dhe kullotja mbi masën dhe me mbështetjen e River Watch ne inicuam programin “ReForestVjosa”. Do të realizojmë mbjellje në 10 zona kritike por që ky plan të funksionojë kemi ngritur fidanishten e Tepelenës ku po kultivojmë mijëra fidanë gjenetikisht autoktonë”, u shpreh botanisti Dr. Anton Drescher.

“Llojet që ne do përdorim për pyllëzim në luginën e Vjosës janë të gjitha lloje autentike. Në çdo sipërfaqe që do pyllëzojmë kemi studiuar bimësinë ekzistuese dhe vetëm mbi bazën e kësaj pranie kemi bërë formulën e pyllëzimit të çdo objekti.Imitojmë natyrën me fanatizëm”, tha specialisti i pyjeve, Ing. Mihallaq Qirjo.

Deri në vitin 2026, pritet të krijohen pyje të rinj me një sipërfaqe totale prej 12 hektarësh në 5 nga 10 zonat e përzgjedhura. Pas Tepelenës mbjelljet do të vijojnë me territoret e Hundëkuqit, Kutës, Poçemit e Banajt.

Për ripyllëzimin e këtyre zonave do të përdoren përveç specieve autoktone, traditcionale edhe bimë të reja me prejardhje vegjetative e fidanë farorë. Sipërfaqet e mbjella pritet të shënjohen për të parandaluar kullotjen në fazat fillestare.

Fidanishtja e krijuar në Tepelenë, me një sipërfaqe prej 700 m², do të prodhojë 12,000 deri në 15,000 bimë të reja nga speciet autoktone brenda vitit 2025, kontigjent që do të mbillet në sipërfaqet e përzgjedhura për ripyllëzim. Kjo fushatë pyllëzimi në këto përmasa pason një periudhë të gjatë dëmtimesh ku vetëm në qarkun e Gjirokastrës 1/6 e fondit pyjor pjesë e inventarit zyrtar nuk ekziston më fizikisht në terren ndërsa Shqipëria ka humbur rreth 200 mijë hektarë pyje në 3 dekadat e fundit.

Top Channel