Qëlloi me thikë në bark kuzhinierin shqiptar në Selanik/ Publikohen pamjet e plagosjes, momenti kur bashkëshortja tenton ta ndalojë

20/03/2024 09:48

Publikohen pamjet e rënda ku një klient plagos me thikë kuzhinierin shqiptar në Selanik.

Mediat greke kanë bërë publike pamjet, ku duket shqiptari që goditet me thikë në pjesën e barkut në restorant nga një klient pasi nuk i pëlqeu ushqimi i servirur.

Mësohet se fillimisht klienti ka bërë porosinë, më pas ka debatuar me kuzhinierin dhe në fund e ka qëlluar me thikën e kuzhinës.

“Klienti vjen, hyn, e lë motorin para dyqanit. Unë e njoh atë, ai vjen këtu prej pesë vitesh. E kuptova që kishte marrë diçka shumë të rëndë, jo pije alkoolike, ai kishte ikur”, tha kuzhinieri.

“Dua të ha diçka të lehtë”, më tha duke i hapur sytë. “Shumë bukur” i thashë, “kam supë pule, kam oriz jeshil” dhe ai më tha, “jo jo ashtu, pak mish”. Epo, mungon mishi”, ka shpjeguar kuzhinieri dinamikën se si ndodhi ngjarja.

Sipas dëshmisë, shqiptari tha se klienti shkonte prej 5 vitesh në restorant. Shqiptari iu nënshtrua më pas një operacioni në spitalin e Selanikut.

Nga ana tjetër, i pandehuri në rrëfimin e tij thotë se nuk e ka idenë se si iu gjet arma në dorë dhe se atë ditë kishte pirë shumë.

Ndërsa avokati i kuzhinierit tha për mediat greke se nëse gruaja nuk do ta qetësonte disi ai do ta godiste kuzhinierin për herë të dytë me thikë.

Top Channel