Greqia shtyn afatin e vlefshmërisë së vërtetimeve të posaçme të emigrantëve shqiptarë, Athina: Ja kush përfiton

19/03/2024 12:37

Qeveria greke ka shtyrë sërish afatin për vlefshmërinë e vërtetimeve blu dhe atyre të bardha me fotografi për kalimin nga dhe drejtë Shqipërisë.

Gazetari i Top Channel, Artur Bibe, bën me dije se lajmi bëhet publik nga ministria greke e emigracionit dhe ka qenë produkt i bisedimeve mes ambasadores shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga me ministrin e emigracionit  Dhimitris Kairidhis.

Pas komunikimeve të vazhdueshme të ministrisë së emigracionit dhe azilit të Greqisë me ambasadën shqiptare në Athinë, ministria vendosi të shtyjë afatin e qarkores së mëparshme për lëvizjen nga dhe drejtë vendeve të origjinës.

Vendimin Nr. 𝟰𝟬𝟬𝟬/𝟯/𝟵𝟴-𝗶𝗯’, publikuar në Fletoren Zyrtare të Qeverisë së Republikës Greke, sot, në datën 𝟭𝟵 𝗺𝗮𝗿𝘀 𝟮𝟬𝟮𝟰, mbi “Daljen dhe rihyrjen e shtetasve të huaj të vendeve të treta me leje qëndrimi, afati i vlefshmërisë së të cilave ka përfunduar dhe të shtetasve të huaj të vendeve të treta që kanë aplikuar për paisje me leje qëndrimi”, përcaktohet se:

Gjatë periudhës 𝟯𝟭-𝟬𝟯-𝟮𝟬𝟮𝟰 deri më 𝟯𝟭-𝟭𝟮-𝟮𝟬𝟮𝟰, lejohet dalja në një vend të tretë, jashtë shteteve anëtare të shengenit, dhe rihyrja e shtetasve të vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Greqi, mbajtës të:

Një vërtetimi të vlefshëm aplikimi për pajsije për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi, sipas neneve 10 dhe 11 të ligjit nr. 5038/2023 ose

Një vërtetimi të vlefshëm të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, sipas nenit 16 të ligjit nr. 5038/2023, me kusht që të dalin nga Greqia brenda periudhës së sipërpërmendur dhe të posedojnë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia.

Nga ky Vendim përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në proces aplikimi për paisje/ripaisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës, përfundon njoftimi i ministrisë greke të emigracionit dhe azilit.

Top Channel