Djemtë në hetim për “shtëpi bari” në Angli, Prokuroria e Tiranës konfiskon pasuritë e prindërve

19/03/2024 19:48

Prokuroria e Tiranës ka konfiskuar pasuritë a pajustifikuara të prindërve, djemtë e të cilëve janë nën hetim për trafikim droge në Angli.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë konfiskoi pasuritë në pronësi të shtetasve R.D. e Gj.D.

Pasuritë janë konfiskuar sepse pronarët nuk kanë patur mundësi kursimi nga të ardhura të ligjshme që kanë shërbyer si burim krijimi për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe me vendimin në datë 13.03.2024 vendosi konfiskimin e pronave të mëposhtme:

– Apartament, me sipërfaqe 103.20 m2 në rrugën Aleksander Moisiu, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 100 m2 në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë;

– Garazh me sipërfaqe 17.20 m2 në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë; dhe

– Garazh, me sipërfaqe 17.40 m2 në rrugën Aleksandër Moisiu, Tiranë.

Pasuritë e mësipërme u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit pasi nga hetimi i kryer, rezultoi se djemtë e tyre, shtetasit V.D. dhe S.D janë përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim.

Pasuritë e mësipërme janë krijuar pas dhe gjatë periudhës së aktivitetit kriminal dhe vlera e tyre nuk i përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre.

Dy djemtë dyshohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 283/ai Kodit Penal, kryer jashtë shtetit (Angli).

Top Channel