Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur një tjetër funksionar të lartë. Bëhet fjalë për drejtuesin e Bashkisë së Libohovës, Leonard Hide.

Top Channel mëson se marrja e tij si i pandehur nuk ka lidhje me detyrën e kryebashkiakut, por lidhet me kohën kur ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, kohë për të cilën SPAK e akuzon se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas asaj që thuhet në dosje, në kohën që ka mbajtur postin e shefit të policisë, Hide ka pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ka dyshime se kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tij, ai e ka lejuar këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Vetë Hide ka deklaruar se është gati që të japë dorëheqjen si drejtuesi i Bashkisë së Libohovës për t’u përballur me drejtësinë.

Mësohet se përveç Hidës, në dosjen që ka marrë në dorëzim SPAK janë marrë të pandehur edhe persona të tjerë. Pasi doli nga ambientet e SPAK ai tha se nëse do të jetë e nevojshme për hetimin që të lërë detyrën, do ta bëjë.

Pjesë nga deklarata për gazetarët: 

Do ta jepni dorëheqjen për tu përballur me drejtësinë?

Hida: Nëse do të duhet, po

 Kush e merr vendimin për të lënë detyrën?

Hida: Vetë unë

 Do largoheni nga zyra për t’u përballur me drejtësinë?

Hida: As bëhet fjalë

Top Channel